Rasti “Dokaz”, mbrojtja kërkon largimin e prokurorit

Rasti “Dokaz”, mbrojtja kërkon largimin e prokurorit

Gazetar: Ardit Ramadani

Pronari i faqes së internetit “Dokaz M”, Marjan Stamenkovski në gjykatën e Apelit kërkoi tërheqjen e prokurorit Sasho Rajçev nga përfaqësimi i kësaj lënde. Ai tha se ka qenë pikërisht ky prokuror që e ka pajisur atë me informacione dhe tekste për t’i plasuar në faqen e tij të internetit, ndërsa për një pjesë të këtyre teksteve, Stamenkovski u dënua nga Gjykata Penale për shkak se në to u konstatua se kishte materiale ksenofobike dhe informacione të tjera të kundërligjshme.

“Kërkoj që të tërhiqet nga kjo lëndë i nderuari prokuror për shkak të konfliktit të interesit, sepse sipas informacioneve të mija të sigurta, prokurori Sasho Rajçev më ka dërguar informacione të cilat janë pjesë e lëndëve për të cilat më gjykoni, edhe për lëndë për të cilat kryetari i Prokurorisë së Lartë, Mustafa Hajrullahi më ka kërkuar falje, por edhe për lëndë të tjera”, tha Marjan Stamenkovski, Dokaz M.

Mësojmë se Stamenkovski pretendon se prokurori Rajçev i ka dërguar atij të dhëna konfidenciale që kanë të bëjnë me shefin e Prokurorisë së Lartë, Mustafa Hajrullahi. Nga ana tjetër prokurori Sasho Rajçev mohoi çfarëdo bashkëpunimi me të akuzuarin.

“Unë ju them as nuk e njoh të akuzuarin Marjan nga Dokaz, as nuk kam pasur kontakte personale me të, as s’kemi komunikuar kurrë. Kështu që deklarimet e tij në seancën e sotme i hedh poshtë si tërësisht të pavërteta, të cilat edhe i dokumentova me deklaratë të shkruar të cilën e dorëzova tek prokuroria. Konsideroj se kjo kërkesë e sotme është një nga mënyrat që të zvarritet procedura dhe të bëhen sensacione, siç edhe janë bërë sensacione në tekstet të cilat ai i ka publikuar çdo ditë”, u shpreh Sasho Rajçev, prokuror në Prokurorinë e Lartë, Shkup.

Shefi i Prokurorisë së Lartë, Mustafa Hajrullahi, si kompetent për të vendosur për tërheqjen ose jo të Rajçevit nga përfaqësimi i kësaj lënde vendosi që të tërhiqet edhe vetë, meqë Stamenkovski e përmend edhe atë në kërkesë. Kështu, kërkesa iu delegua Prokurorit Publik të Maqedonisë së Veriut, i cili pritet që të vendosë deri në seancën e radhës që është caktuar për më 19 maj. Në prill të këtij viti pronari i faqes së internetit “Dokaz M”, Marjan Stamenkovski u dënua me tre vjet e një muaj burg, ndalesë për të kryer punë që lidhen me veprën penale për 10 vitet e ardhshme dhe gjobë prej 5 mijë eurove. Ai u shpall fajtor për kryerjen e gjithsej 5 veprave penale. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button