Reagime politike pas sondazhit: VMRO-DPMNE flet për përgjegjësi pa zgjedhje të parakohshme, LSDM ironizon rritjen e rejtingut me çmimin e specave
Gazetare: Ajnur Bafqari
Shifrat e anketës janë një përgjegjësi dhe motiv shtesë për punë. Kështu tha numri një i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke nënvizuar se edhe përskaj kësaj dhe rezultateve të zgjedhjeve lokale, nuk po mendon për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Edhe pse një mundësi politike është që përskaj këtyre numrave, pas fitores bindëse në zgjedhjet lokale të organizojmë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, por nuk mendoj se për momentin është hap shtetëror, mendoj se tani duhet të fokusohemi te reformat. Unë u ktheva me lajme të mira nga Brukseli, vetëm do të pres që vetë Komisioni Evropian t’i thotë në pjesën e zbatimit të agjendës së reformave,“ deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
LSDM akuzon se anketa është realizuar nga vetë VMRO-DPMNE-ja. Në komunikatën drejtuar mediave, LSDM ironizon, duke krahasuar rritjen e çmimeve të produkteve me rritjen e rejtingut të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. Në komunikatë përmendet mosrealizimi i premtimeve parazgjedhore, me theks të veçantë, kthimi i emrit të shtetit.
“Kur specat në markete janë rritur në 300 denarë, Hristijan Mickoskit i është rritur rejtingu për 25,2 për qind. Kur vezët janë shtrenjtuar në 300 denarë, VMRO-së menjëherë i është rritur rejtingu për 24 për qind. Kur dizeli për të tretën herë u rrit në 95,5 denarë, ZNAMI u rrit për 100 për qind. Qytetarët e vlerësojnë pozitivisht dhe vlerësojnë se çmimet janë të ulëta. Kështu që për shembull, në pyetjen a vlerësoni se duhet të rriten faturat e energjisë elektrike, mbi 80 për qind e qytetarëve thanë “PO” edhe atë menjëherë,“ thanë nga LSDM
-Kur specat u shtrenjtuan në 300 denarë, rejtingu i Mickoskit u rrit për 25,2%
-Kur vezët u shtrenjtuan në 300 denarë, VMRO u rrit për 24 %
-Kur dizeli u rrit në 95,5 denarë, ZNAM u rrit për 100 %
Sondazhi i fundit i MKD.mk dhe Agjencisë “Market Vizion” e nxori VLEN-in në epërsi në bllokun politik shqiptar, ndërsa VMRO-DPMNE-në, fitues absolut, nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër.








