Reagon Rufus Wainwright pasi Donald Trump përdori këngën “Halleluja” në fushatë
Reagon Rufus Wainwright pasi Donald Trump përdori këngën “Halleluja” në fushatë
Muzikanti Rufus Wainwright ka shprehur shqetësimin e tij për përdorimin e versionit të tij të këngës së njohur “Hallelujah” të Leonard Cohen nga fushata presidenciale e Donald Trump gjatë një ngjarjeje në Oaks, Pennsylvania.
Në një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, Wainwright ka thënë se ishte i tronditur kur pa këtë këngë të lëshohej në një kontekst të tillë, shkruan CNN.
“‘Hallelujah’ është bërë një himn për paqe, dashuri dhe pranimin e të vërtetës. Të shihja Trumpin dhe mbështetësit e tij me këtë këngë ishte kulmi i fyerjes”, ka thënë këngëtari.
Wainwright, i cili ka edhe nënshtetësi kanadeze dhe amerikane, po ashtu shprehu mbështetje për zëvendëspresidenten Kamala Harris, e cila do të jetë kandidate nga radhët e demokratëve në zgjedhjet në SHBA më 5 nëntor.
Ai ka thënë se nuk e miraton përdorimin e këngës dhe shprehu shpresën që Trump mund të reflektojë mbi mesazhin që përçon kjo këngë, por shtoi se ishte “jashtëzakonisht i tmerruar”.
Sipas raportimeve, familja e Cohen ka dërguar një letër përmes së cilës ndalohet përdorimi i këngës në fjalë nëpër fushatë të Trumpit.
Kjo nuk është hera e parë që fushata Trump përdor këngën “Hallelujah”.
Në vitin 2020, kënga u luajt gjatë Konventës Kombëtare Republikane (RNC), ani pse familja e Cohen e kishte refuzuar lejen.
Në atë kohë, përfaqësuesja ligjore e familjes shprehu shqetësim për përpjekjen e RNC për ta politizuar këngën.
Wainwright dhe familja e Cohen nuk janë të vetmit që kanë kundërshtuar përdorimin e muzikës së tyre nga fushata Trump, artistë të tjerë si Celine Dion, Foo Fighters, Bruce Springsteen dhe familja e Prince gjithashtu kanë kundërshtuar në të kaluarën.