Rëndësia e ndihmës së parë, mjekët: Të mësohet në të gjitha drejtimet në shkolla

Rëndësia e ndihmës së parë, mjekët: Të mësohet në të gjitha drejtimet në shkolla

Gazetare: Ilmie Zhaku

Në situata emergjente, çdo sekondë ka rëndësi dhe shpesh njohuritë bazë të dhënies së ndihmës së parë mund të bëjnë ndryshimin, duke shpëtuar një jetë, thonë mjekët. Aktualisht në vendin tonë ndihma e parë mësohet nga nxënësit e drejtimeve mjekësore, por sipas mjekëve nuk duhet të jetë kështu, sepse çdokush duhet të dijë të japë ndihmën e parë në raste emergjente. E ftuar në emisionin Ftesë në Studio në Alsat, dr Sumeja Pajaziti tha se shpesh ndodh që ndonjë rast përfundon me fatalitet vetëm se nuk i është dhënë ndihma e parë.

“Të fokusohemi te rëndësia e ndihmës së parë, është shumë e rëndësishme ti ndihmojmë personit të lënduar te vendi i ngjarjes, sapo ka ndodhur diçka, ne kemi hulumtime të ndryshme të cilat vërtetojnë se afër 5% e rasteve të cilat përfundojnë në mënyrë fatale te vendi i ngjarjes përfundojnë kështu vetëm nga arsyeja se nuk ka pasur ndihmë të parë, adekuate në kohë të duhur, te vendi i ngjarjes, prandaj duhet të theksojmë rëndësinë e ndihmës së parë” – tha dr Sumeja Pajaziti.

Pajaziti shtoi se mungesa e njohjes së ndihmës së parë është një deficit për shoqërinë tonë, sepse na bënë edhe më të pa pasigurt në raport me rastet emergjente.

“Në shkollat e mesme të mjekësisë nxënësit e mësojnë ndihmën e parë, dhe kanë aftësi për ta dhënë ndihmën e parë në mënyrë precize, pasi që e kanë drejtim profesional, mirëpo këto drejtimet tjera e kemi problem se në kushtet tona nuk kemi ndonjë plan program të integruar në sistemin arsimor te e cila do mund ti aftësojmë nxënësit të keni mundësi të japin ndihmën e parë në çdo moment emergjent. Kjo është një deficit i madh në shoqërinë tonë, sepse njohja e ndihmës së parë mundëson edhe për integritetin e shoqërisë për ndjenjën e sigurisë brenda në shoqëri.” – theksoi dr Sumeja Pajaziti në emisionin Ftesë në Studio.

Trajnimet e vetme që mbahen për të rinjtë për të mësuar ndihmën e parë kanë qenë projekte të Kryqit të Kuq, megjithatë mjekët thonë se duhet të inkuadrohet në programet shkollore, qoftë si lëndë e veçantë, praktike, qoftë edhe të ketë disa trajnime gjatë gjysmë vjetoret shkollore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button