Rezultatet e KSHZ, këta janë numrat

Rezultatet e KSHZ, këta janë numrat

Gazetar: Suad Bajrami

Kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova ka mbledhur numrin më të madh të votuesve në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, shkruan Alsat.

Sipas 99,85 të dhënave të përpunuara nga KSHZ. 362.682 qytetarë apo 40% e numrit të përgjithshëm të votuesve i kanë dhënë besimin Sijanovskës. Rivali kryesor i saj, presidenti aktual Stevo Pendarovski ka marrë 180.306 qytetarë apo afër 20% nga numri i përgjithshëm. Siljanovska dhe Pendarovski, do të përballen në rrethin e dytë të zgjedhjeve, ku qytetarët do të votojnë për shefin e ri të shtetit.

Dy kandidatët shqiptarë, kanë tubuar gjithsej mbi 203.000 vota. Për Bujar Osmanin e “Frontit Evropian”, kanë votuar 120.903 qytetarë ndërsa për Arben Taravari nga koalicioni “VLEN” kanë votuar gjithsej 83.356 qytetarë, apo 9,21% nga numri i përgjithshëm.

Kandidati dhe partiaNumri i votavePërqindja
Gordana Siljanovska362.68240,08%
Stevo Pendarovski180.30619,93%
Bujar Osmani120.90313,36%
Maksim DImitrievski83.7879,26%
Arben Taravari83.3569,21%
Biljana Vankovska41.1724,55%
Stevçe Jakimovski8.1030,90%

Mbi 133.000 vota kanë mbledhur kandidatët e partive tjera maqedonase. Gjegjësisht, për Maksim Dimitrievskin nga “ZNAM” kanë votuar gjithsej 83.787 qytetarë apo 9,26% nga numri i përgjithshëm i votuesve, ndërkaq për Biljana Vankovskën kanë votuar 41.172 qytetarë apo 4,55%.

Rezultat më të dobët në këto zgjedhje ka realizuar Stevço Jakimovski nga GROM. Është i vetmi kandidat që ka fituar më pak vota se sa nënshkrime e mbledhura për kandidaturën për president. Gjegjësisht, për të kanë votuar vetëm 8.103 votues apo 0,90% nga numri i përgjithshëm.

Në rrethin e parë të zgjedhjeve të shtata presidenciale të drejtën e votës e shfrytëzuan 904.892 qytetarë, apo 49,95% të numrit të përgjithshëm. Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale mbahet më 8 maj, bashkë me zgjedhjet e rregullta parlamentare./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button