Rrënimi i objekteve pa leje, heshtje në Qeveri

Prishja e objektit te “Mavrovësja” ishte i vetmi që u rrënua pasi u konstatua se ishte ndërtuar pa leje. Pas kësaj autoritetet edhe pse premtuan nuk ndërmorën asgjë për prishjen e objekteve të tjera pa leje, që janë të shumta në numër.

Tre muaj më parë Qeveria bëri spektakël me prishjen e objektit këtu tek “Mavrovasja”, po ashtu premtoi se të gjitha ndërtimet pa leje në të gjithë shtetin do të prishen, mirëpo edhe pse në kryeqytet janë dhjetëra të tilla, që atëherë e deri më sot nuk ka asnjë aktivitet, në fakt kjo temë për Qeverinë është e harruar.

Pas shembjes së këtij objekti, pronarët e lokaleve në Qendrën tregtare “Biser” në Aerodrom kërkuan që Qeveria të marrë masa urgjente kundër objektit të furrës “Silbo”, e cila, sipas tyre, është ndërtuar pa leje. Edhe pas insistimeve të shumta për të marrë përgjigje, Komuna e Aerodromit, nuk japin përgjigje se cilat janë shkaqet që nuk  ka asnjë veprim ndaj këtij objekti.

Heshtje për ndërtimet pa leje edhe nga Qeveria. Edhe pse 10 muaj më parë kërkuan nga Inspektorati Shtetëror për Ndërtim, që të bëjë inspektimin e ndërtimeve pa leje, tani për dy muaj, nuk e shqyrton raportin e kërkuar. Të pyetur pse në çdo seancë e anashkalojnë raportin e Inspektoratit Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm, i cili pas kontrolleve të bëra në Çarshinë e Shkupit, në tre objekte, konstatoi se ka ndërtime të parregullta, nga shërbimet e Qeverisë, thonë se informacioni ende nuk është shqyrtuar.

Informata për të cilën pyesni nuk është shqyrtuar në seancën e Qeverisë. Kur të shqyrtohet, menjëherë do të njoftoheni për vendimet”-thonë nga Qeveria.

Për ndërtimet pa leje heshtin edhe nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, institucion ky që është kompetent për objektet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Nga kabineti i ministrit Bllakoj Boçvarski nuk dhanë sqarime. Pasi numër i madh i ndërtimeve pa leje, ndodhen në komunat e Qytetit të Shkupit, kryetari Petre Shilegov ripërsëriti se pushteti Qendror duhet t’i japë kompetenca Qytetit për të kontrolluar dhe penguar ndërtimet pa leje. Edhe pas premtimeve të shumta parazgjedhore, prishja e ndërtimeve pa leje, ose ndalimi i ndërtimit të tyre, mbeten pa zgjidhje. Sipas raportit të Entit Shtetëror të Statistikave, vetëm vitin e kaluar në të gjithë vendin janë ndërtuar 866 ndërtime pa leje, pjesa më e madhe e të cilave, 153 në kryeqytet.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button