Rrjedh afati për prishjen e mbindërtimit pa leje në Çarshinë e Shkupit, Mexhiti: Nuk do të tolerohen shkeljet ligjore

Rrjedh afati për prishjen e mbindërtimit pa leje në Çarshinë e Shkupit, Mexhiti: Nuk do të tolerohen shkeljet ligjore

Gazetare: Ajnur Bafqari

Mbindërtimi ilegal në Çarshinë e Vjetër të Shkupit nga dita në ditë po merr formën përfundimtare, ndërsa kreu i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, sërish zotohet se nuk do të ketë kompromis për shkelje ligjore dhe se mbindërtimi jo legal në Çarshinë e Vjetër të Shkupit do të rrënohet. Sipas Mexhitit aktualisht po rrjedh afati 45 ditor, për rrënim nga vetë investitorit.

“Komuna ka vepruar në mënyrë ligjore domethënë ka sjellë vendim për rrënim, është afati ligjorë 45 ditë që vetë ndërtuesi apo investitori ta rrënon, nëse nuk e rrëzon do të ballafaqohet me ligjin dhe me rrënim të asaj pjese, pra kompromis me shkeljet ligjore nuk ka”, tha Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit.

Nga komuna e Çairit sqarojnë se realizimi i rrënimit do të bëhet përmes procedurës së prokurimit publik, dhe kjo komunë në planin vjetor të prokurimeve ka paraparë një njësi të veçantë për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, ndërsa aktualisht është në fazën e përpilimit dhe finalizimit të dokumentacionit përkatës. Nga komuna theksojnë se paralelisht rrjedh edhe afati për përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do të merret me rrënimin.

“Sa i përket afateve, procedura e përzgjedhjes së operatorit ekonomik, sipas rregullave të prokurimit publik, mund të zgjasë deri në 45 ditë, varësisht nga dinamika procedurale. Pas nënshkrimit të kontratës me ekzekutuesin e punimeve, mund të veprohet menjëherë me rrënimin e objektit”, njoftojnë nga Komuna e Çairit.

Ditë më parë u nxjerr urdhri për ekzekutim të vendimit për rrënimin e mbindërtimit në Zemër të Çarshisë, por pavarësisht kësaj dhe paralajmërimeve nga inspektorati i ndërtimit, investitori nuk ka ndaluar punimet. Objekti që së fundmi u pajis edhe me dyer dhe dritare, sipas regjistrit të Kadastrës rezulton në parcelën pronësore me numër 8980/2 në njësinë kadastrale të Komunës Qendër. Objekti në fjalë ku është ngritur mbindërtimi ka katër kate dhe aty banojnë disa familje. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button