Vetbesimi i Fatmir Limanit: S’jam individ, jam 15 deputetë – Çka ndodhi mbrëmë në mbledhjen e Lëvizjes BESA, pse aty heshti Limani?

Vetbesimi i Fatmir Limanit: S’jam individ, jam 15 deputetë – Çka ndodhi mbrëmë në mbledhjen e Lëvizjes BESA, pse aty heshti Limani?

Gazetar: Bashkim Sulejmani

“Në rast se Limanin e shohin si individ, Limani nuk është individ, por mund të jetë nesër 15 deputetë”, tha Fatmir Limani. ish nënkryetar i BESA.

Me këto fjalë ministri Fatmir Limani u fut në mbledhjen e Kuvendit të Lëvizjes BESA, duke vënë barrierën e mundësisë së shkarkimit nga detyra e pozitës së ministrit që përfaqëson VLEN-in në Qeveri, për çka ditëve të kaluara kishte dhe një debat në distancë mes kryeministrit dhe Kasamit për atë se kush i përcakton emrat për ministra.

Megjithatë siç mëson Alsat, fjalët që Limani i ka thënë para mediave, nuk i ka hapur në mbledhje, e as që ka diskutuar apo debatuar për ndonjë çështje. Pas hyrjes, sipas burimeve tona, Limani i ka dhënë dorën kreut të lëvizjes, Kasami, ka zënë vend në rendin e parë, por nuk ka ndërvepruar gjatë fjalës së Kasamit. I gjithë shkarkimi i Kryesisë  së partisë ka qenë krejtësisht teknik, ka ardhur pas një raportimi nga ana e Kasamit për çështjet politike, por edhe takimet dhe qëndrimet e partisë. Prej 60 kuvendarëve të pranishëm, 57 kanë votuar “për” shkarkimin e partisë, 2 “kundër” dhe 1 “përmbajtur”. Kundër propozimit ishin pikërisht Limani dhe Miranda Kadriu, e punësuar në Kabinetin e Limanit.

Në opinion u krijua përshtypja që Kasami e shkarkoi tërë kryesinë me qëllimin që ta shkarkojë Limanin, nën arsyetimin se më shumë punon për Mickoskin se për Lëvizjen Besa. E plotësisht, ia faturojnë dhe humbjen e garës për kryetar të Komunës së Kërçovës gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, ku fitoi kandidati i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë Limani gjatë ditës ka shfryer dufin ndaj kokës së Lëvizjes BESA, duke mos përmendur emra, por duke lënë të nënkuptohet që bëhet fjalë për Kasamin dhe rrethin e tij. Në rrjedhën e reagimeve për epilogun e mbrëmshëm, Limani thekson se rrugëtimi ynë, kërkon arkitekt dhe assesi monark. Në porosinë e tij thotë se muret rreth kalave politike nuk i shërbejnë askujt përveç atyre që duan të ruajnë karriget e tyre. Vlera e vërtetë, sipas Limanit, nuk matet me atë sa fort e mbron veten brenda rrethimit të partisë, por me atë që lë pas për qytetarin.

Pas deklarimit të Limanit, reagoi Adnan Azizi, i cili porosit se sulmi do t’i lodhë sulmuesit, por kurrë të sulmuarit, ndërsa nga çdo goditje ne dalim dhe më të fortë, edhe më imun./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button