Rusia dhe Ukraina ditët e fundit kanë shpeshtuar sulmet me raketa e dronë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se forcat ukrainase kanë goditur tre depo nafte dhe një strukturë karburanti në rajonin rus të Stavropolit, si dhe tre anije që, sipas tij, i përkasin “flotës në hije” të Rusisë në Detin e Zi.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Zelenskyy tha se sulmet janë përgjigje ndaj ofensivës ruse ndaj Ukrainës. “Ne vazhdojmë t’u përgjigjemi sulmeve ruse në një mënyrë plotësisht të justifikuar dhe të saktë”, u shpreh ai.
Më herët, guvernatori i rajonit të Stavropolit, Vladimir Vladimirov, konfirmoi se një sulm me dron kishte shkaktuar zjarr në një zonë industriale. Sipas tij, materialet e ndezshme në objekt shpërthyen disa herë, por nuk pati rrezik për zonat e banuara dhe nuk u raportuan viktima apo të plagosur.
Autoritetet ukrainase theksojnë se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse kanë dëmtuar ndjeshëm kapacitetet e rafinimit të naftës. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, vetëm gjatë muajit të fundit janë goditur tetë rafineri nafte dhe janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë mbi 60 rezervuarë të naftës dhe derivateve, duke i shkaktuar industrisë ruse humbje të vlerësuara në rreth 13.5 miliardë dollarë.
Ndërkohë Rusia e ka kryer njërin prej sulmeve më të mëdha me raketa balistike ndaj Kievit që nga fillimi i pushtimit të saj të plotë, gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës, duke e vrarë një person dhe plagosur 16 të tjerë. Ndërkohë, Ukraina njoftoi se kishte goditur dy cisterna ruse të naftës në Detin e Zi.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi gjithsej 41 raketa dhe 125 dronë gjatë natës, në një sulm të kombinuar që kishte si shënjestër kryesore Kievin.
Sipas ushtrisë, mbrojtja ajrore rrëzoi 18 raketa dhe 108 dronë, ndërsa 23 raketa dhe 10 dronë goditën 20 lokacione. Mbetjet e raketave dhe dronëve të rrëzuar ranë në 18 zona të tjera./Alsat.mk.








