Sanksionet, rubla ruse bie me 40% të vlerës

Gazetar: Semra Musai 

Sanksionet e ashpra financiare të Perëndimit kundër Moskës po i japin efektet e para. Monedha kombëtare ruse u zhvlerësua në nivel rekord. Respektivisht, rubla humbi rreth 40 për qind të vlerës së saj që nga fundi i tetorit, kur Rusia nisi t’i grumbullojë ushtarët në kufi me Ukrainën, shkruan Alsat.

Goditje shtesë pritet të japin sanksionet e fundit që i aktivizoi Bashkimi Evropian ndaj Bankës Qendrore Ruse. Masat e reja parashikojnë ngrirjen e të gjitha aseteve të bankës qendrore ruse në BE dhe vendet e G7. Kjo masë konsiderohet po aq serioze sa edhe përjashtimi i disa bankave ruse nga rrjeti bankar SWIFT.

“Me këto masa gjysma e rezervave të Bankës Qendrore të Rusisë do të bllokohen”, tha Josef Borrel, përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme

Rezervat e Rusisë kanë arritur në më shumë se 600 miliardë dollarë këtë muaj. Banka Qendror Ruse nga ana tjetër pa ta ruajtur vlerën e rublës rriti normën bazë të interesit në 20% nga 9,5 % sa ishte deri më tani. Gjithashtu dha urdhër që rusët të shkëmbejnë 80% të të ardhurave të marra nga valuta të huaja në rubla. Sipas autoriteteve ruse kjo mase do të çonte në stabilizimin e rublës dhe do t’i nxiste më shumë investime në Rusi se sa jashtë vendit.

“Ekonomia ruse po përballet me ndryshime drastike. Sanksionet që i vendosën shtetet e huaja zhvlerësuan rublën dhe kufizojnë mundësitë e Bankës Ruse që të shfrytëzojë devizat. Banka Ruse kreu ndërhyrje devizore prej një miliardë dollarëve, te enjten e kaluar dhe të premten. Qeveria mori vendim që ti obligojë ndërmarrjet ti shkëmbejnë 80% të të ardhurave nga eksporti”, tha Elvira Nabiulina, guvernatorë e Bankës Qendrore Ruse

https://www.youtube.com/watch?v=cjnHtFqEcRQ

Por rritja e normës së interesit do të dëmtojë xhepin e qytetarëve. Pasi rusët duhet të paguajnë këste më të larta të kredive dhe për shërbimet e tjera bankare. Pasojat shtesë mund të shkaktojë edhe inflacioni.

Sipas ekspertëve sanksionet po e dëmtojnë rëndë ekonominë ruse.

“Rusisë ngadalë po i mbarojnë paratë.  Prandaj Banka Qendrore po përpiqet ta mbajë kapitalin në Rusi duke rritur në mënyrë dramatike normën e interesit”, tha Robert Halver, ekspert në Baader Bank

BE planifikon të vendosë sanksione të mëtejshme kundër aleatit të Rusisë, Bjellorusisë. Ndërkaq në një lëvizje befasuese, presidenti zviceran tha se ishte “shumë e mundshme” që qeveria e tij të vendoste të ngrijë asetet ruse në vend edhe pse më parë kishte deklaruar se do të mbetej neutral. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button