Scholz telefonon Putin, biseda e parë në dy vjet
Scholz telefonon Putin, biseda e parë në dy vjet
Kancelari gjerman Olaf Scholz pati një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, lidhur me luftën në Ukrainë, në bisedën e parë të tillë në dy vjet, tha qeveria gjermane.
Zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit tha se Scholz dënoi “luftën e agresionit të Rusisë” kundër Ukrainës gjatë bisedës telefonike dhe i bëri thirrje Putinit t’i jepte fund asaj, duke tërhequr trupat që pushtuan vendin në shkurt 2022.
Scholz gjithashtu i kërkoi Rusisë të jetë e gatshme të negociojë me Ukrainën drejt arritjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe shprehu vendosmërinë e palëkundur të Gjermanisë për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj, tha Hebestreit në një deklaratë.
Ai tha se Scholz kishte folur më parë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe do ta bënte këtë përsëri pas telefonatës me Putinin.
Deklarata e qeverisë nuk tha se sa zgjati telefonata me Putinin, por agjencia gjermane e lajmeve DPA tha se ajo zgjati rreth një orë./ AP.