Sela kërkon veting të mirëfillt në sektorin e drejtësisë

Sela kërkon veting të mirëfillt në sektorin e drejtësisë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Aleanca për Shqiptarët e cilëson si urgjente zbatimin e një vetingu në gjyqësor. Kreu i partisë Ziadin Sela u bëri thirrje të gjithë aktorëve politik që të ulen dhe të punojnë seriozisht në përpilimin e një ligji për veting të cilin janë të gatshëm ta dorëzojnë në Kuvend edhe nëse partitë e tjera nuk i përgjigjen thirrjes së tyre, shkruan Alsat.

Si rezultat i një analize të bërë, partia e Selës radhit edhe një sërë rekomandimesh që kanë të bëjnë me gjyqësorin.

“Domosdoshmërish duhet zbatuar vetingu në drejtësi për të larguar gjykatësit dhe prokurorët e kapur dhe të korruptuar. Ky proces do të kryhet nga një organ i pavarur i themeluar enkas për këtë arsye. Komisioni Evropian duhet të kryej vlerësime shtesë të shtetit të së drejtës, të udhëhequra nga ekspertë të pavarur, ngjashëm me Raportin e Pribesë. Duhet të themelohet një task forcë për reformën e gjyqësorit dhe për të bërë vlerësim gjithëpërfshirës të shkaqeve të kapjes së gjyqësorit”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Ndër rekomandimet e ASH-së është edhe formimi i një task force këshillëdhënëse dhe monitoruese të shtetit të së drejtës nga institucionet evropiane, riorganizimi i gjykatave themelore, vendosja e kornizave të reja për integritetin dhe llogaridhënien e gjykatësve, prokurorëve dhe avokatit të popullit dhe të dhëna të hapura për më shumë transparencë. Sela para mediave përmendi një sërë emrash të cilët mbajnë pozita nëpër gjykata, prokurori dhe organe të tjera të drejtësisë, por të cilët janë ose në të kaluarën në ndonjë formë kanë qenë të lidhur me aktivitetin ose me funksionarët e BDI-së. Ai thotë se askush më nuk ka dyshime se gjyqësori është thellësisht i politizuar.

“Në secilin institucion gjyqësor, mjafton një thirrje nga Reçica e Vogël që të ndalen apo sabotohen ndjekjet penale sa herë që preket interesi i BDI-së. Këta kujdesen që rasti ku preken interesat e tyre të shkojë në tavolinën e prokurorëve dhe gjykatësve të tyre që pastaj ata të sabotojnë rastet”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Këtë nismë Aleanca për Shqiptarët nuk e ka diskutuar akoma me partitë e tjera opozitare por thirrja publike mbetet e hapur për ata që mendojnë se gjyqësori duhet ç’kapur nga partitë në pushtet. Ai thotë se ka vënë në dijeni edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button