Selami: Berisha nuk mund ta reformojë PD-në, është humbje kohe

Në Shqipëri Partia Demokratike ndodhet sot në një udhëkryq, duke kaluar një nga krizat më të rënda në historinë e saj tridhjet vjeçare. Shkak për këtë krizë është bërë ndryshimi i qëndrimit të ish kryeministrit Sali Berisha, pasi kryetari i tanishëm, Lulzim Basha, vendosi ta përjashtojë atë nga grupi parlamentar, pas shpalljes non grata nga Sekretari Amerikan i Shtetit. Për të diskutuar më në hollësi kemi ftuar sot ish kryetarin e Partisë Demokratike, Eduard Selami.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Selami! Cili është mendimi juaj për atë që po ndodh sot në Partinë Demokratike?

 

Eduard Selami: Mendimi im është që ky është një debat tejet i vonuar për Partinë Demokratike, e cila lindi si partia e parë opozitare, si shpresa e të rinjve shqiptarë për një Shqipëri si Europa. Për pak ditë bëhen 31 vjet dhe ende Shqipëria formalisht nuk është futur në Bashkimin Europian. Fatkeqësia e Partisë Demokratike ka qenë zoti Berisha, i cili edhe pas shpalljes non grata nga Departamenti i Shtetit, ku qartas tregohet se ai ka qenë pengesë për demokracinë në Shqipëri, ka patur shanse historike si askush tjetër në historinë e Shqipërisë dhe i ka shpërdoruar të gjitha këto shanse, ai vazhdon përpjekjen për të mbajtur peng Partinë Demokratike. Dëshira ime ishte që zoti Basha ta kishte filluar këtë debat më përpara, por zoti Basha provoi se nuk është një lider natyral i Partisë Demokratike, por i përzgjedhuri i Berishës për ditët e tij të këqija.

 

Zëri i Amerikës: A ka të ardhme Partia Demokratike me zotin Berisha si kryetar, duke qenë se ai është shpallur non grata, dhe çfarë ndikimi do të kishte ky zhvillim për partinë kryesore të opozitës në Shqipëri?

 

Eduard Selami: Unë nuk mund ta mendoj këtë. Fakti që ne po diskutojmë për këtë skenar është surreal. Berisha do ta kishte kapërcyer këtë me kohë. Ky debat për shkeljet e Berishës ka nisur që në mesin e viteve 90. Shqipëria ishte një histori suksesi dhe pikërisht autoritarizmi, mentaliteti i së kaluarës, që zoti Berisha pruri nga Partia e tij Komuniste, fatkeqësisht paralizoi edhe forcën e parë politike të opozitës dhe e futi Shqipërinë në luftë civile. Ky është përgjegjësi kryesor për këtë punë. Ai krijoi kulturën e mosndëshkimit në mënyrën më të qartë që mund të bëhet. Nuk është se Shqipëria nuk ka edhe liderë të tjerë të pazotë dhe të korruptuar, edhe rajoni, por ky ka qenë epiqendra dhe kontrasti bëhet më i madh se ka patur mbështetje dhe shanset më të mëdha nga SHBA, të cilat i ka shpërdoruar. Progresi i Shqipërisë do të ishte shumë herë më i lartë, nëse do të kishim një lidership tjetër dhe nëse ky nuk do të pengonte. Një skenar, që ky të vijë tani si reformator i Partisë Demokratike, për mua është i pamundur dhe është një humbje e kohës së Partisë Demokratike.

LEXO EDHE:

Back to top button