Serbët në veri kundërshtojnë sërish Qeverinë e Kosovës, shkollat nuk vijojnë mësimin

Edhe pse Qeveria e Kosovës mori vendim që mësimi të fillojë më 27 shtator në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, serbët e veriut nuk po e respektojnë atë.

Të gjitha shkollat në katër komunat veriore, si dhe universitetet, të cilat janë nën urdhrat e Serbisë, nuk kanë funksionuar sot. Ndërsa pak nxënës të cilët nuk kanë qenë të informuar dhe që kanë ardhur në orët e mëngjesit në këto shkolla, janë kthyer mbrapsht.

KosovaPress raporton se sot është dashur të fillojë mësimi edhe në atë pjesë, por për shkak të situatës më të re të krijuar rreth reciprocitetit me targa, si dhe për shkak të inateve të disa politikanëve serbë që kjo datë të mos përputhet me vendimin e Qeverisë së Kosovës, vendimi është ndryshuar mbrëmë gjatë natës.

Askush nga udhëheqësit e institucioneve arsimore të cilët janë takuar nëpër disa shkolla, nuk kanë dashur të flasin për këtë temë.

KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë disa herë edhe me drejtorin e Arsimit paralel në veri, Ivan Zaporozhac, por deri në kohën kur po raportojmë, ai nuk ka qenë në zyrën e tij.

Ndryshe, viti i ri shkollor ka filluar sot edhe në Serbi sipas modelit të kombinuar për shkak të pandemisë, ku universitetet dhe shkollat e mesme nëpër disa qytete do të vijojnë mësimin me prezencë fizike, po ashtu edhe klasat e shtata dhe teta të shkollave fillore, ndërsa të tjerët nga distanca.

LEXO EDHE:

Back to top button