Seria e krimeve në Kumanovë, i akuzuari ngarkohet me katër vrasje dhe dy tentim-vrasje

Gazetare: Ajnur Bafqari

Me katër vrasje dhe dy tentim vrasje ngarkohet 25 vjeçari nga Staro Nagoriçani, kundër të cilit prokuroria e Kumanovës ka ngritur aktakuzë. Sipas prokurorisë i akuzuari dyshohet se ka kryer krime në periudhën prej më shumë se një vit radhazi në disa fshatra të Kumanovës. Sipas ekspertizave të kryera gjatë hetimit, veprat i ka kryer për motive të ulëta, përkatësisht me qëllim të kënaqjes së impulseve të tij seksuale ndaj trupave të pajetë të grave.

“Kështu gjatë natës mes 5 dhe 6 janarit 2025, në fshatin Kleçkovcë, ai me dashje ka privuar nga jeta një grua të moshuar dhe të pafuqishme. Është futur në shtëpinë e saj dhe derisa ajo ishte duke fjetur, e ka sulmuar fizikisht dhe ka filluar ta mbytë me forcë. Si pasojë e thyerjeve dhe lëndimeve të shumta, që i pamundësuan frymëmarrjen gruaja ka ndërruar jetë” thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike.

Më pas mes datës 5 dhe 7 qershor të të njëjtit vit, në fshatin Dragomanc, në mënyrën e njëjtë dhe me paramendim e ka privuar nga jeta edhe një grua tjetër. I akuzuari kishte në shënjestër gratë që jetonin të vetme, kështu që në një tjetër fshat të Kumanovës, ka vrarë edhe një grua tjetër më të re në moshë.

“Gjatë orëve të mbrëmjes mes 17 dhe 18 janarit 2026, në fshatin Staro Nagoriçan, i akuzuari me dashje ka vrarë një grua më të re në moshë, për të cilën gjithashtu e dinte se jetonte e vetme. Mënyra e kryerjes së veprës ka qenë e ngjashme me rastet e mëparshme.
-Në fshatin Çellopek, gjatë mbrëmjes mes 5 dhe 6 shkurtit 2026, ai ka vrarë edhe një viktimë tjetër të moshuar dhe të pafuqishme” theksohet më tej në njoftim.

Gjatë kësaj periudhe, i akuzuari ka pasur për qëllim edhe dy vrasje të tjera.

“Rasti është evidentuar më 22 korrik 2025, në fshatin Çellopek, ku ka tentuar ta privojë nga liria një grua që ka arritur ta frikësojë duke e thirrur djalin e saj, pas çka i akuzuari ka ikur. Rasti i fundit i evidentuar daton më 9 shkurt 2026 në Çellopek, ku ai ka tentuar të vrasë edhe një grua tjetër, por është frikësuar nga një zhurmë që ka dëgjuar dhe është larguar para se ta realizonte qëllimin” theksohet në njoftimine  Prokurorisë 

Prokurori publik propozon vazhdimin e  masës së paraburgimit, ndërkaq, meqë vrasjet ishin kryer me paramendim, i akuzuari rrezikohet me së paku 10 vjet burg deri në burg të përjetshëm. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button