Shaheen: Radoiçiqi duhet të arrestohet

Shaheen: Radoiçiqi duhet të arrestohet

Senatorja amerikane, demokratja Jeanne Shaheen, tha se Millan Radoiçiq duhet të arrestohet dhe të përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjet e shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

Shaheen, që po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, tha se është takuar ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se sa i përket Radoiçiqit, palët duhet të bashkëpunojnë.

“Unë mendoj se ata duhet ta arrestojnë Radoiçiqin dhe ta çojnë në burg. Ai e ka pranuar përfshirjen e tij dhe ajo çfarë ndodhi më 24 shtator, tani ai duhet të mbahet përgjegjës për këto veprime”, tha ajo.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë. Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, të cilin e konsideron terrorist, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Prishtina po ashtu ka kërkuar që Serbia t’ia dorëzojë Radoiçiqin.

Ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se të gjithë të dyshuarit për kryerjen e sulmit në Banjskë në veri të Kosovës në shtator të vitit të kaluar, janë futur në sistemin ndërkombëtar të INTERPOL-it për urdhërarrestime. Pas ngjarjeve në Banjskë, Serbia e la të lirë Radoiçiqin, por me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button