SHBA dënon sulmin ndaj kanalit të Ibër Lepencit: Të identifikohen kriminelët
SHBA dënon sulmin ndaj kanalit të Ibër Lepencit: Të identifikohen kriminelët
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësimin e madh të vendit të tij për situatën e sigurisë në veri të Kosovës pas shpërthimit të fundit në kanalin e Ibër-Lepencit.
Ai thotë se SHBA dënon ashpër sulmin ndaj kanalit të Ibër Lepencit në Zubin Potok, të cilin e ka cilësuar si një sulm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, që dëmton furnizimin me ujë dhe funksionimin e centraleve energjetike.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës”.
Ambasadori Hovenier ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe ka ofruar mbështetjen e plotë të SHBA-së për autoritetet kosovare për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit.
“Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.
Ai ka dënuar gjithashtu sulmet me granata që ndodhën në Zveçan më 26 dhe 28 nëntor, duke theksuar se këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe janë sulme kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës.
SHBA-ja ka rikonfirmuar mbështetjen e saj të fuqishme për qeverinë dhe popullin e Kosovës, duke shprehur solidaritetin në përballjen me këto sulme kriminale.