SHBA dhe Venezuela nënshkruajnë marrëveshjen e naftës që Trump e quan “më të madhen në histori”
Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela po finalizojnë marrëveshjen në sektorin e naftës, të cilën presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar si “marrëveshjen më të madhe të naftës në historinë botërore”. Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, gjendet në Venezuelë për nënshkrimin zyrtar, ndërsa Kuvendi Kombëtar i vendit e ka miratuar tashmë paktin, që pritet të sjellë me kohë miliarda dollarë për ekonominë e rrënuar.
Marrëveshja parashikon krijimin e një kompanie private, si sipërmarrje e përbashkët me “North American Blue Energy Partners”, në pronësi të një biznesmeni venezuelas, operatori i dytë më i madh në vend, pas gjigantit amerikan Chevron.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, kompania ka marrë koncesione 100-vjeçare mbi 17 fusha nafte, me rreth 65 miliardë fuçi rezerva të vërtetuara. Qeveria amerikane do të përfitojë një pjesë prej 35 për qind në kompaninë amë dhe të drejtën për të blerë 20 për qind të prodhimit me çmim kostoje.
Kryetari i Kuvendit Kombëtar, Rodríguez, tha se Venezuela nuk ka as paratë e as teknologjinë e nevojshme për të zhvilluar rezervat e veta. Ai premtoi se të ardhurat e shtuara do të financojnë spitale, shkolla, energji elektrike dhe rritje pagash. Sipas tij, teknologjia e re mund të rikuperojë naftën nga fushat e shterura dhe të rrisë prodhimin.
“A është gabim të rrisim prodhimin e naftës me 1,5 milionë fuçi në ditë, apo është thelbësore? A është gabim që po vijnë 109 mijë njerëz dhe një investim prej 109 miliardë dollarësh që do t’i sjellë qeverisë venezueliane 209 miliardë dollarë të ardhura, apo është thelbësore për zhvillimin e vërtetë dhe mirëqenien e popullit?” – Jorge Rodriguez, Kryetar i Kuvendit Kombëtar.
Industria venezuelase e naftës është dobësuar nga vite keqqeverisjeje, mungesë investimesh dhe largimi i punonjësve të kualifikuar, ndërsa sanksionet amerikane i kanë thelluar vështirësitë. Për këtë arsye, rimëkëmbja parashikohet të zgjasë vite.
Efektet reale të marrëveshjes si për ekonominë venezuelase ashtu edhe për tregun global të naftës, pritet të ndihen vetëm në afat të gjatë.








