SHBA finalizon planet për të dërguar sistemin e mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë

SHBA finalizon planet për të dërguar sistemin e mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara po finalizojnë planet për të dërguar sistemin e mbrojtjes raketore Patriot në Ukrainë. Vendimi përfundimtar mund të shpallet që në fillim të kësaj jave, konfirmuan disa zyrtarë amerikanë.

Plani për dërgimin e Patriotëve në Ukrainë është ende në pritje të miratimit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe më pas do t’i shkojë për nënshkrim presidentit amerikan Joe Biden. Të dy pritet të miratojnë vendosjen, i thanë CNN tre zyrtarë amerikanë.

Pasi plani të miratohet, raketat Patriot duhet të dërgohen në Ukrainë shumë shpejt, dhe ukrainasit do të trajnohen për t’i përdorur ato në bazën ushtarake amerikane në Grafenwoehr, Gjermani, thanë zyrtarët.

Ende nuk dihet se sa lansues Patriot do të dërgohen në Ukrainë, por sistemi Patriot zakonisht përfshin një radar që zbulon dhe gjurmon objektivat, kompjuterët, pajisjet për të gjeneruar energjinë e nevojshme, një sistem kontrolli dhe deri në tetë lansues, secili prej të cilëve mund të gjuaj katër raketa.

Sistemi i mbrojtjes Patriot konsiderohet si një nga sistemet më të mira të mbrojtjes raketore, me rreze të gjatë kundër raketave balistike. Është një sistem që mund të rrëzojë raketat dhe aeroplanët rusë larg objektivave që rusët po përpiqen të godasin në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë theksojnë se do të jetë sistemi më i avancuar i raketave me rreze të gjatë i dërguar në Ukrainë, i cili gjithashtu do të ndihmojë në sigurimin e hapësirës ajrore mbi anëtarët e NATO-s në Evropën Lindore.

Ju kujtojmë se këtë vjeshtë, forcat ruse nisën një seri sulmesh masive me raketa dhe dronë në të gjithë Ukrainën, dhe Kievi i ka lutur aleatët e tij perëndimorë për muaj të tërë për sisteme shtesë, të sofistikuara të mbrojtjes ajrore.

Sulmet e fundit ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës e kanë vënë administratën e presidentit amerikan Joe Biden, nën presion shtesë për të furnizuar Ukrainën me sistemin e mbrojtjes raketore Patriot.

“Ajo që po ndodh në terren” e detyroi administratën Biden të merrte vendimin, tha zyrtari për CNN.

LEXO EDHE:

Back to top button