Ushtria ukrainase publikon udhëzime të sakta për të gjithë rusët që duan të dorëzohen

Ushtria ukrainase publikon udhëzime të sakta për të gjithë rusët që duan të dorëzohen

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka publikuar një video-udhëzim për trupat ruse, që u shpjegon procedurën e dorëzimit që bëhet me ndihmën e një droni ukrainas.

Një video me udhëzime të detajuara në gjuhën ruse, është publikuar në faqen e Shtabit të Përgjithshëm në Facebook.

Ushtarët rusë që duan të dorëzohen duhet të informojnë koordinatorët e programit ukrainas “dua të jetoj”, të cilët do t’u japin atyre një afat kohor për mbërritjen e dronit.

Pasi të shfaqet droni, ushtarët duhet të konfirmojnë qëllimin e tyre për t’u dorëzuar duke ngritur duart, dhe më pas të ndjekin dronin drejt pikës së takimit me ushtarët ukrainas.

Pala ukrainase beson se përdorimi i dronëve për të ndërmjetësuar dorëzimin, do të ndihmojë që i gjithë procesi të bëhet më i sigurt, shkruan Meduza.

Në nëntor, në Telegram qarkullonte një video që tregonte ekzekutimin e të paktën 10 të burgosurve rusë pranë fshatit Makiivka, gjë që pati një efekt demotivues për të gjithë ushtarët rusë që planifikonin të dorëzoheshin. Autoritetet ruse njoftuan se do të kërkonin “autorët e këtij krimi”.

Mihaylo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, pretendoi se Kievi ka versionin e plotë të regjistrimit të ekzekutimit të dyshuar të të robërve të luftës.

Ai tha se disa nga ushtarët rusë në video donin vërtet të dorëzoheshin, por në të njëjtën kohë të tjerët hapën zjarr ndaj ushtrisë ukrainase.

LEXO EDHE:

Back to top button