SHBA-ja ka mbyllur qiellin për avionët rusë

Gazetar: Lluka Andreev

“Putini gaboi, historia do të shkruajë se lufta kundër Ukrainës do ta bëjë Rusinë më të dobët”, tha presidenti amerikan Xho Bajden, duke iu drejtuar Kongresit. Bajden theksoi guximin e trupave ukrainase dhe përshëndeti angazhimin e, siç thotë ai, aleancës së re të përforcuar perëndimore.

“Putini tani është më i izoluar se kurrë nga pjesa tjetër e botës, sepse në luftën kundër autokracisë, demokracitë po bashkohen. Njoftoj se ne do t’i bashkohemi aleatëve tanë në mbylljen e hapësirës ajrore të SHBA-ve, për të gjitha fluturimet ruse, duke e izoluar më tej Rusinë”, deklaroi Xho Bajden – President i Shteteve të Bashkuara.
Presidenti ukrainas Zelensky, tha se koalicionit kundër luftës i janë bashkuar tashmë vendet në të cilat Moska kishte llogaritur vetëm deri një javë më parë, dhe kërkoi të mos jenë neutral në këtë kohë.

“Ne kemi bashkuar miliona, nga Oqeani Atlantik deri në periferi të Harkovit. Filluam gjithashtu një procedurë të përshpejtuar anëtarësimi. Diplomatët tanë kanë bashkuar botën, për Ukrainën dhe për paqen. Edhe Zvicra neutrale gjithashtu mbështeti sanksionet”, u shpreh Volodimir Zelenski- Presidenti i Ukrainës.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandar Grushko, duke komentuar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE, tha se do të ishte vetëshkatërruese për BE-në. Në të njëjtën kohë, Grushko tha se për momentin nuk mund të përjashtohet një konflikt i drejtpërdrejtë Rusi-NATO.

“Ne do të kërkojmë garanci ligjore për mospërhapjen e Aleancës në lindje. Rreziqet ekzistojnë dhe ne jemi shumë të shqetësuar për furnizimin me armë të Ukrainës”, tha Aleksandar Grushko – Zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë.

Udhëheqësit perëndimorë kanë përsëritur se do të vazhdojnë të ndihmojnë ushtarakisht Ukrainën, por jo duke përfshirë NATO-n në konflikt.

“Putin bëri një vlerësim shumë të gabuar dhe me sulmet e tij ndaj kombit sovran ai nënvlerësoi forcën e popullit ukrainas, dhe uniteti i botës së lirë është pasojë e barbarizmit të tij”, theksoi Boris Xhnson – Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

“Është krijuar një situatë e rrezikshme, sepse kjo është një luftë midis shtetit më të madh në botë, Rusisë, superfuqisë bërthamore dhe vendit të dytë më të madh në Evropë. Në këtë drejtim, rreziku nga kërcënimi nuk duhet nënvlerësuar. Kjo është arsyeja pse politika jonë është shumë e qartë: ne nuk do të ndërhyjmë në planin ushtarak – kjo i referohet NATO-s. NATO nuk do ta bëjë këtë, do të ishte një gabim në situatën aktuale”, deklaroi Olaf Sholc – Kancelar i Gjermanisë.

Sholc e bëri deklaratën pas takimit me homologun izraelit Naftali Bennet, i cili përsëriti mbështetjen e tij për popullin ukrainas, por tha se Izraeli ishte ndër vendet që nuk i mbështesin plotësisht sanksionet perëndimore ndaj Rusisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button