Shefi i NATO-s, Rutte: Gjendja e sigurisë në Kosovë dhe rajon, e brishtë
Shefi i NATO-s, Rutte: Gjendja e sigurisë në Kosovë dhe rajon, e brishtë
Shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë të mërkurën se gjendja e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë është e brishtë, duke përmendur në veçanti atë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë.
“Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese me kërcënimet për ndarje në Bosnje e Hercegovinë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimin e vogël në dialogun e lehtësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës“, tha Rutte për gazetarë në prag të takimit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.
Gjendja e sigurisë në Kosovë mbetet e tensionuar prej vitit të kaluar, veçanërisht pas një sulmi nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, si pasojë e të cilit u vra një polic dhe tre sulmues.
Së voni, NATO-ja ka zhvendosur trupa në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ata dërgojnë “mesazh të qartë” të vendosmërisë të fortë të NATO-s dhe përkushtimit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe aftësitë e aleancës dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur.
Rutte u zotua se NATO-ja do të mbetet fuqishëm e përkushtuar për misionin e vet në Kosovë, KFOR, i cili ka mbi 4.400 trupa ushtarake në vend.
“Për më shumë se dy dekada KFOR-i ka ruajtur një ambient të qetë dhe sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes. Përkushtimi i NATO-s për KFOR-in mbetet i fuqishëm edhe sot“, theksoi Rutte, transmeton REL.
NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.
Misioni i NATO-s në Kosovë po ashtu është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës.
Rutte, ish-kryeministër i Holandës, para dy javësh e mori përsipër rolin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s duke e pasuar në këtë post ish-shefin e aleancës, Jens Stoltenberg.
Ai foli edhe për përpjekjet e Rusisë për të krijuar ndasi të rajon përmes fushatave dezinformuese.
“Rusia, po ashtu, po bën përpjekje për të penguar demokracinë në rajon me kërcënime hibride dhe kibernetike, përfshirë edhe dezinformimin. Ajo po përdor ndjesitë e brendshme për të krijuar ndasi“, nënvizoi ai.
Ky do të jetë takimi i parë i Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të ministrave të Mbrojtjes nën udhëheqjen e Rutte-s.