Shitet për 10 milionë dollarë kopja e rrallë e botimit të parë të Shekspirit

Kopja e rrallë e botimit të parë të Shekspirit u shit për afro 10 milionë dollarë, të mërkurën, duke u bërë vepra më e shtrenjtë e letërsisë, e shfaqur ndonjëherë në ankand, sipas Christie’s.

Koleksioni i 36 pjesëve, botuar, menjëherë, pas vdekjes së dramaturgut, është një nga pesë kopjet e plota ende në duar private, tha shtëpia e ankandit.

Botimi i Parë konsiderohet ndër koleksionet më të rëndësishme të letërsisë në gjuhën angleze. Ai përmban 18 vepra që nuk ishin shfaqur më parë në shtyp, përndryshe do të ishin humbur në histori, përfshirë “Makbethin” dhe “Natën e dymbëdhjetë”.

Është botuar në 1623 nga aktorët John Heminge dhe Henry Condell, miq të dramaturgut anglez, libri titullohet zyrtarisht “Komedi, Histori dhe Tragjedi”, bazuar në tri zhanret e përdorura për të kategorizuar veprat.

Versioni i shitur, të mërkurën, ishte kopja e parë e plotë që u shfaq në ankand që kur një prej tyre shkoi për 6.1 milionë dollarë në vitin 2001. Ai u vendos në shitje nga Mills College në Oakland, California, i cili e kishte mbajtur artikullin në koleksionin e tij që nga 1977.

Pas një beteje gjashtë minutëshe ofertash midis tre blerësve, përmes telefonit, artikulli u ble nga tregtari i librave dhe antikuari Stephan Loewentheil për 9.98 milionë dollarë. Në një intervistë telefonike pas shitjes, ai e përshkroi botimin origjinal të Shekspirit si “Gralin e shenjtë të librave”.

“(The First Folio) është vepra më e madhe në gjuhën angleze, sigurisht vepra më e madhe e teatrit, kështu që është diçka që kushdo që e do intelektualizmin duhet ta konsiderojë një objekt hyjnor”, tha Loewentheil, i cili zotëron dyqane të specializuar me libra të rrallë dhe fotografi në New York dhe Maryland.

Në një deklaratë për shtyp, shefja e shtëpisë së librave Christie’s, Margaret Ford, tha se ishte “e përshtatshme” që puna e Shekspirit tani mban rekordin botëror të ankandit “duke pasur parasysh rëndësinë dhe ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në të gjithë globin”.

Jashtëzakonisht i rrallë

Megjithëse, u prodhuan rreth 750 kopje të Botimit të Parë, dihet që vetëm 235 kanë mbijetuar deri në ditët e sotme. Nga këto, vetëm 56 konsiderohen të jenë të kompletuara, të gjitha të mbajtura nga institucionet në SHBA dhe Britaninë e Madhe, sipas Christie’s.

Duke besuar se kopjet në duar private mund të mos dalin kurrë më në treg, Loewentheil tha se mund të mos ketë shumë shanse për të marrë një kopje.
Libri që daton që nga fillimi i shekullit të 19-të është shitur së bashku me një letër nga studiuesi i Shekspirit, Edmond Malone, nga 1809 që konfirmon vërtetësinë e tij.

Çmimi përfundimtar i shitjes tejkaloi vlerësimet e shtëpisë së ankandit, i cili kishte parashikuar ofertat kryesore prej 4 deri në 6 milionë dollarë./A2CNN/

LEXO EDHE:

Back to top button