Shpërthim në Mitrovicën e Veriut, s’ka dëme 

Shpërthim në Mitrovicën e Veriut, s’ka dëme 

Policia e Kosovës tha se në orët e para të 3 korrikut ka ndodhur një shpërthim në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe. Sipas Policisë, mjeti që ka shpërthyer dyshohet të ketë qenë shok-bombë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Tre rrokaqiejt. Zyrtarët policorë, sipas njoftimit, “nuk kanë hasur në dëme anësore” nga ky shpërthim. Lista Serbe ka dënuar shpërthimin në Mitrovicë të Veriut, duke thënë se përfaqësuesit e kësaj partie janë të bindur që kjo “është bërë qëllimisht për të arsyetuar praninë e shtuar të njësive speciale policore të Kosovës”. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka përsëritur kërkesën për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe atë të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, që të rrisin praninë e tyre në veri, veçmas në Mitrovicë të Veriut. Së fundmi, në komunat në veri të Kosovës, janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore. Sulmi i fundit me shok-bombë ndodhi në Zveçan më 18 qershor. Po ashtu, sulme me shok-bomba ka pasur edhe pranë stacioneve në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut. Më 26 qershor, objekti komunal i Mitrovicës së Veriut u sulmua me granatë dore, duke shkaktuar dëme materiale. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button