Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia
Shqipëria do të kërkojë të ndahet nga Maqedonia e Veriut në vendimin për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, në rast se Bullgaria nuk e heq veton në gjashtë muajt e ardhshëm. Këtë e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në takimin e fundvitit me gazetarët. Rama tha se vlerësimi për Shqipërinë në BE rritet sidomos për shkak të hapave që ka hedhur sistemi i ri i drejtësisë, gjegjësisht prokuroria speciale atje.
“Jemi në një fazë absurde të bllokimit për shkak të vetos së vënë nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut dhe në këshillimin kombëtar kemi kërkuar një opinion nga qytetarët nëse ata do ta mbështesnin një qasje të re të politikës sonë të jashtme. Kjo do të thotë se në qoftë se në fund të presidencës franceze, në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm, Bullgaria do të vazhdojë të mbajë veton, të fillojmë hapur të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut në trajtimin dhe vlerësimin tonë”, deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.








