Gazetar: Zekirija Haxhiu
Në seancën për pyetje deputetësh, kreu i LSDM-së Venko Filipçe, pyeti kryeministrin Hristijan Mickoski pse ka lejuar shtrenjtimin e rrymës duke mos u mundur që Maqedonia të prodhojë rrymë me kapacitetet që posedon. Sipas Filipçes, shtrenjtimi i rrymës do të shkaktojë dhe shtrenjtim të çmimeve të tjera për qytetarët.
“Pse në këto një vit e gjysmë, gati dy qeverisje, nuk bëtë asgjë që të përforconi sektorin energjetik dhe prodhimin e rrymës. Pse nuk prodhojmë me kapacitetin maksimal me kapacitetet tona prodhuese dhe detyrohemi të importojmë rrymë të shtrenjtë dhe të shpallet gjendje krize”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Ashtu siç unë nuk kuptoj nga operacionet, ashtu edhe ti asgjë nuk kupton nga energjetika iu përgjigj Mickoski – Filipçes duke e akuzuar se po e manipulon opinionin kinse rryma do të shtrenjtohet për 5 deri në 10% ndërsa shtrenjtimi u bë për 2.2%, tha Mickoski.
“Këtë çështje z.Filipçe ndoshta më së miri do u jepte përgjigje, anëtari i ri i komitetit tuaj ekzekutiv, z.Bislimovski, i cili është vëlla me kryetarin e KRE-së, Marko Bislimovski. Komisioni Rregullator është trup i pavarur. Më tepër se pesëdhjetë persona kanë shkatërruar atë që e la qeveria e mëparshme e VMRO-DPMNE-së e kur unë isha drejtor i ELEM, janë ose nën hetime ose udhëhiqen procese gjyqësore. Ndërsa ish drejtori dhe ish anëtari i LSDM-së është në arrati”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska gjithashtu njoftoi se Qeveria mbulon në 100% harxhimet për blerjen e rrymës, çmimi i së cilës siç tha është mbi 100 euro ndërsa e japin për 65 euro. / Alsat.mk








