Shtyhet sërish gjykimi për kompaninë “Besa Trans”

Shtyhet sërish gjykimi për kompaninë “Besa Trans”

Gazetar: Ardit Ramadani

Shtyhet sërish gjykimi për kompaninë “Besa Trans”. Kjo për shkak të mungesës së përfaqësuesve të doganës të cilët duhej të tregojnë si kanë lejuar qarkullimin e autobusit pa dokumente përkatëse, por edhe mungesës së pronarit. Seanca e ardhshme është caktuar për më 31 mars.

“Seanca gjyqësore për rastin “Besa Trans” u anulua për së treti herë për shkak të mungesës së përfaqësuesve nga Doganat e Maqedonisë. Nga gjykata na thanë se nuk ekziston hapësirë ligjore që do t’i detyronte këta përfaqësues apo me saktë personin juridik që të paraqitet ne gjykate ndërkaq nga ky doganat e Maqedonisë, nuk përgjigjen se pse lejojnë zvarritjen e procesit gjyqësore duke mos u paraqitur në gjykatë”, raporton Ardit Ramadani, gazetar i Alsat.

Në seancë mungoi edhe përfaqësuesi i “Besa Trans”, Shaban Hoxha i cili sipas avokatit Asmir Alispahiq, ka pasur rast të vdekjes jashtë shtetit dhe ka qenë i detyruar të shkojë. Seanca e radhës është caktuar për më 31 mars.

Sipas aktakuzës, pronari i “Besa Trans”, 41 vjeçari Bekim Haxhiu përmes shoferëve e autobusëve ka përdorur certifikatë licence që nuk ka qenë e lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për certifikatë të falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar dhe përmes këtij dokumenti, autobusi kishte arritur të largohet nga vendi 20 herë vetëm vitin e kaluar.

Mbrojtja ka mohuar këtë akuzë. Sipas tyre, nuk është e vërtetë që është përdorur dokument i rremë, por origjinale ndërkaq të pyetur se si është e mundur që autobusi të ketë udhëtuar vetëm me patentë, pa certifikatë për mjetin konkret, avokati i pronarit të “Besa Trans” kishte thënë se duhet kërkuar përgjegjësi nga doganierët.

Në autobusin e “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Turqia, më 23 nëntor humbën jetën 45 persona në mesin e të cilëve 12 fëmijë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button