Si sillen njerëzit e pjekur pas një ndarjeje?
Pas një ndarjeje, disa njerëz ndihen të lënduar, të trishtuar dhe kanë vetëvlerësim të ulët. Megjithatë, nëse i drejtoni mendimet tuaja në drejtimin e duhur, do të shëroheni më shpejt dhe do të vazhdoni me jetën tuaj pas ndarjes në një mënyrë të shëndetshme.
Disa terapistë kanë identifikuar gjashtë sjellje të njerëzve të pjekur pas një ndarjeje:
Njerëzit e pjekur dhe seriozë nuk u shkruajnë mesazhe ish-partnerëve të tyre në orën 2 të mëngjesit. Ata mund të ndiejnë nevojën për një komunikim të tillë, por me mençuri arrijnë t’i rezistojnë kësaj dëshire dhe nuk do të telefonojnë ose dërgojnë mesazhe.
“Ata e dinë se kishte një arsye pse marrëdhënia nuk funksionoi dhe, në vend që të vazhdojnë të përpiqen ta rregullojnë marrëdhënien, ata pranojnë se çfarë dhe si humbën dhe bëhen imunë ndaj nevojës për t’u rikthyer te ish-partnerët e tyre”, thotë Aaron Anderson, këshilltar martese dhe familjeje.
Njerëzit e pjekur përpiqen të qëndrojnë pozitivë pas një ndarjeje. Edhe pse e kuptojnë se kanë bërë gabime, ata nuk hyjnë në një rreth vicioz faji, por përkundrazi marrin përgjegjësinë për gabimet e tyre dhe përqendrohen të bëhen njerëz më të fortë dhe më të zgjuar.
“Nuk duhet ta fajësosh veten sepse kjo do të të bëjë të ndihesh e pafuqishme, e dobët dhe sikur askush nuk të do. Njerëzit e pjekur dhe të zgjuar marrin përgjegjësi dhe vazhdojnë me jetën e tyre”, thotë terapistja Olga Bloch.
“Njerëzit që e konsiderojnë veten të pjekur nuk do të lejojnë kurrë që një ndarje t’i përcaktojë si individë. Edhe pse kjo përvojë është shumë e vështirë dhe e dhimbshme, ata mësojnë prej saj dhe bëhen rezistentë ndaj dhimbjes”, thotë terapistja Susan Kraus.
Autorja Nora Ephron e përshkruan divorcin në një nga librat e saj si një proces që zgjati shumë më tepër se martesa, dhe se përfundimisht e kuptoi se sa shumë e kishte përcaktuar ai divorc dhe sa shumë e kishte qenë gjëja kryesore në jetën e saj për kaq gjatë. Shpejt e kuptoi se nuk kishte pse të ishte kështu dhe ndoqi një drejtim tjetër.
Vlera jote nuk varet nga sa tërheqës je dhe sa shumë të do dikush, veçanërisht nëse është një ish-partner. Kur një person i sigurt në vetvete ndahet, ai është ende i vetëdijshëm për cilësitë dhe aftësitë e tij.
“Njerëzit që mund ta shohin qartë se kush janë dhe çfarë mund të bëjnë, mund të ecin përpara pa probleme pas një ndarjeje, sepse e dinë që nëse ish-i i tyre nuk i vlerëson, do të vijë dikush që do ta bëjë. Ata e dinë se refuzimi dhe ndarja nuk do të thotë se ka diçka të gabuar me ta, por e shohin ndarjen nga një perspektivë tjetër. Ata e dinë se çdo ndarje do të thotë se janë një hap më afër dikujt që do t’i vlerësojë vërtet dhe do t’i dojë për atë që janë”, thotë Bloch.
Njerëzit e pjekur përpiqen të jenë versioni më i mirë i vetes pas një ndarjeje dhe nuk përpiqen ta lëndojnë ish-partnerin e tyre në asnjë mënyrë. Ata janë të vetëdijshëm se të dy kanë pësuar një humbje dhe vazhdojnë përpara pa asnjë problem ose pa nevojën për të vazhduar të jenë të lidhur me marrëdhënien e dështuar.
Secili mbart me vete pjesë të marrëdhënieve dhe lidhjeve të tij të kaluara, por sfida e vërtetë është të mos e lejojmë barrën e një marrëdhënieje të dështuar të mëparshme të zvarritet në tjetrën dhe kështu ta dëmtojë atë që nga fillimi.
“Njerëzit e pjekur i japin vetes kohë për t’u rikuperuar nga ndarja, për të kuptuar se çfarë nuk funksionoi dhe çfarë duan nga vetja dhe partneri i tyre i ardhshëm. Ata e dinë se ndarja nuk ishte vetëm faji i tyre dhe nuk kanë frikë të përballen me gjithçka që kanë bërë gabim dhe si ta shmangin përsëritjen e saj në marrëdhënien e ardhshme”, thotë Anderson.








