Sindikatat nisën grevën, kërkojnë rritje lineare të pagave

Sindikatat nisën grevën, kërkojnë rritje lineare të pagave

Gazetare: Andrea Çobanova

Punonjësit në administratë nisën grevën me protesta para Kuvendit duke kërkuar rritje lineare të pagave për 2806 denarë dhe pagesë të regresit vjetor. Nga Lidhja e Sindikatave thonë se nuk do heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe do të bëjnë grevë edhe në vendet e punës derisa qeveria të përmbushë atë që u ka premtuar.

“Me ekipin që negociuam muajin e fundit nuk jemi parë, u humbëm, por dje erdhën në Lidhjen e Sindikatave dhe na thanë se duhet të kishte një metodologji të re. Le të ketë një metodologji të re, por për atë çfarë ramë dakord në parim duhet ta respektojnë”, deklaroi Darko Dimovski – Kryetar i Lidhjes së Sindikatave.

Ndërprerje të punës ka pasur në komuna, spitale, gjykata, ministri dhe institucione të tjera në të gjithë vendin. Pjesa më e madhe e administratës ka ndërprerë punën për një orë, nga ora 10 deri në 11 kanë protestuar para institucioneve shtetërore. Nga Sindikata e Shëndetësisë thonë se rritja lineare duhet të realizohet në kohë të kësaj krize.

“Në parim, 2806 denarë, rritje lineare si shumë neto, për një infermiere me arsim të mesëm do të thotë rritje të rrogës për 14 për qind. Rritje lineare e një infermiere me arsim të lartë do të thotë 10 për qind, për një mjek të përgjithshëm 8.5 për qind”, tha Ljubisha Karanfilovski – Sindikata e Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Nga Qeveria mbeten në qëndrimin se fillimisht nevojitet një metodologji produktiviteti, dhe më pas paga më të larta.

“Dialogu social për marrëveshje të përgjithshme kolektive duhet të vazhdojë dhe do të vazhdojë dhe aty do të gjejmë zgjidhjen sistematike për pagat e sektorit publik”, theksoi Jovana Trençevska – Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Në ditët në vijim institucionet shtetërore do të punojnë me 10 për qind të potencialit të personelit dhe me një orë ndërprerje të punës. Sindikatave para dy muajve u premtua se do të kenë rritje lineare të pagave me rebalancin e buxhetit, por ky premtim nuk u gjet në rebalancin e propozuar të buxhetit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button