Situata me zjarret, Angellov: S’ka nevojë për gjendje krize

Nuk do të ketë gjendje krize në lindje të vendit. Drejtori i Qendrës së Menaxhimit të Krizave, Stojançe Angelov, informoi se zjarri i djeshëm në Koçan ka shkaktuar vetëm dëme materiale, pa viktima në njerëz. Si drejtues i institucionit, ai thotë se është krenar që nuk pati viktima në njerëz dhe se dëmet materiale do të riparohen lehtë. Shkaku i zjarrit mund të jetë nga rrjeti elektrik. Erërat e forta dhe temperaturat e larta bënë që zjarri të përhapet me shpejtësi, dhe të arrijë pranë shtëpive. Angelov pranoi se shteti ka resurse të kufizuara për ballafaqim me zjarre të tilla.

 “Ne nuk kemi dy shtëpi të djegura në Koçan. Kemi dy çati të djegura të shtëpive. Është djegur një stan, nga i cili delet u hoqën me kohë. Fotografitë që shihni janë të disa kafshëve. Edhe disa makina gjithashtu u dogjën. Sot do të krijohet një komision nga kryetari i komunës, për të hetuar dëmet, do të bëjë proces verbal dhe njerëzit do të kompensohen menjëherë.”- deklaroi Stojançe Angelov, Drejtor i QMK.

Angelov shpjegoi gjithashtu përdorimin e helikopterëve për shuarje të  zjarreve. Dje, shkaku i festës në dispozicion ka qenë vetëm një helikopter i armatës, ndërsa helikopteri i dytë ishte në servisim gjatë natës, që të jetë në gjendje të fluturojë sot. Helikopteri aktiv mbrëmë ka shuar zjarrin në Nagoriç të Vjetër, ndërsa helikopterët mund të përdoren gjatë natës, por jo për shuarjen e zjarreve. Një problem shtesë që ata të fluturojnë ishte temperatura e lartë – për të cilën Angelov thotë se ato mund të nxehen tepër.

 “Nuk është e sigurt të fluturosh helikopter në temperatura më të larta se 37 gradë Celsius. Ne thjesht e rrezikojmë jetën e ekuipazhit. A duhet të rrezikojmë jetën e pilotëve tanë për të kënaqur ambiciet e dikujt tjetër? Siguria e para. Le të digjet gjithçka, njerëzit të jenë gjallë dhe me shëndet. Dje askush nuk vdiq, dhe askush nuk u lëndua, dhe ky është kursi ynë. Drutë do të rriten përsëri”- pohoi Stojançe Angelov, Drejtor i QMK.

Katër helikopterë nga Serbia duhet të mbërrijnë në aeroportin e Shkupit, dhe është njoftuar për ndihmë nga Sllovenia dhe Greqia për shuarjen e zjarreve.

Bojan Stojanovski

LEXO EDHE:

Back to top button