Situata nëpër çerdhe, e qëndrueshme


92 raste të mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar me virus korona në vendin tonë janë aktive.  Nga numri i përgjithshëm i mësuesve të infektuar, 45 janë nga shkollat fillore, ndërsa vetëm 7 prej tyre janë nga ato të mesme.  Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë për Alsat se një ditë më parë janë paraqitur 3 raste të nxënësve të infektuar dhe 4 mësues, të cilët mësimin e kanë realizuar me prani fizike. Të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit që vendosen në izolim, mësimin e realizojnë online.

Ministria e Arsimit
“Sa u përket nxënësve që mësimin e realizojnë me prani fizike, 40 raste janë aktive, 36 nxënës nga shkollat fillore dhe 4 në shkollat e mesme. Respektimi i protokolleve nëpër shkolla ka bërë që të mos ketë transmetim të virusit.”

Numri i lartë i rasteve të reja me virus korona në nivel ditorë në vendin tonë ka bërë që mundësia për vlerësimin e nxënësve edhe me prani fizike të jetë e diskutueshme. Në mbledhjen e fundit Qeveria ka pranuar një plotësim të tillë në Rekomandimin për mënyrën e organizimit të procesit të vlerësimit të nxënësve, duke lënë të hapur mundësinë që nëse gjendja përkeqësohet, vlerësimi të bëhet vetëm online.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut

“..në rast të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike vlerësimi i nxënësve do të mund të realizohet  edhe pa prani fizike të nxënësve, sipas udhëzimeve për vlerësimin e nxënësve pa prani fizike, të përgatitur nga ana e Byrosë për Zhvillim të Arsimit dhe Qendrës për Arsim dhe Zhvillim Profesional.”

Rritje e numrit të të infektuarve  tek fëmijët dhe punonjësit e çerdheve për momentin nuk rrezikon që të sjellë mbylljen e këtyre objekteve, tha pak ditë më parë ministrja për Punë dhe Politikë Sociale Jagoda Shahpaska. Që nga hapja e çerdheve deri tani numri i fëmijëve të infektuar arrin deri në 20, ndërsa I të punësuarve deri në 55.

 “A do të punojmë ose jo në çerdhe, si do të mbyllen, me çfarë dinamike, dhe nëse do të ketë hapësirë për mbyllje duke marrë parasysh gjendjen stabile deri më tani, do të sjellim vendim të përbashkët, si Ministri e punës dhe politikës sociale, shëndetësisë dhe e gjithë Qeveria. Sigurisht, kapitali më i rëndësishëm është shëndeti I fëmijëve, parasëgjithash fëmijëve- deklaroi Jagoda Shahpaska, ministër e Arsimit.

 Përgatiti: Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button