Në ditën e dymbëdhjetë të bllokadës, situata është e qetë në të dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Këto pika vazhdojnë të jenë të bllokuara nga dhjetëra qytetarë serbë që janë duke protestuar që nga data 20 shtator, kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat me Serbinë. Bashkë me qytetarët, afër këtyre pikave në veri të vendit po qëndrojnë edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Fundi i kësaj bllokade duket të jetë dita e shtunë, pasi të dy shtetet kanë arritur marrëveshje në Bruksel, për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Sipas kësaj marrëveshjeje, njësitet speciale policore të vendosura në pikë kalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga ora 08:00 e së shtunës deri në orën 16:00. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se tani fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet. Opozita në Kosovë ka kritikuar kryeministrin Kurti se me këtë marrëveshje ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës.
" "








