S’ka termine në Institutin e Radiologjisë

S'ka termine në Institutin e Radiologjisë

Gazetar: Adi Qaili

Pritjet e gjata për një rëntgen kompjuterik në Institutin e Radiologjisë kanë bërë që pacientët të drejtohen nëpër klinikat private ku çmimet janë 10 fish më të larta. Për një termin apo lexim të një tomografi kompjuterik apo rezonancë magnetike pritet deri në një muaj. Pacientët nuk flasin para kamerës ngaqë druajnë se do ti prishin punë vetit. Në fakt, udhëzimet prioritetet kanë përmbytur gjithë sistemin thotë drejtoresha e radiologjisë. Edhe pse kanë blerë pajisje të reja ka mungesë të radiologëve specialistë.

“Kemi shtim të lartë të punës që sjell vonesa të rezultateve. Volumi punës është mbi nivel, kemi probleme me ‘Termini im’ që përpiqemi ta tejkalojmë të hapim terminë për të ulur mbingarkesën me udhëzime urgjence dhe prioritare. Nga ana tjetër, këtë dyndje të punës e organizojmë me kuadrin, qe e kemi të pamjaftueshëm ku aktualisht kemi vetëm 25 specialistë radiologë”, tha Gordana Belçevska, Drejtoreshë e Radiologjisë.

Korridori i Institutit është i mbushur me pajisje të prishura, të skaduara e të vjetërsuara radiologjike.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ky problem do të zgjidhet deri në fund të këtij viti. Dy janë hapat që pritet të zbatohen nga autoriteti menaxhues i shëndetësisë publike: furnizimi me tomografi dhe rezonanca përmes projektit të Bankës Botërore si dhe krijimi i një sistemi për ekzaminim on-line.

“Konstatuam se një pjesë e këtyre pajisjeve nuk është funksionale për shkak të disa defekteve ose tejkalimit të numrit të ekzaminimeve, lidhur me këtë bashkë me Bankën Botërore do të bëjmë një furnizim të ri që deri në fund të vitit 12 institucione publike do marrin pajisje të reja. Në sistemin ‘Backs’ do e krijojmë një ‘Cloud’ ku do të lidhen të gjitha incizimet nga gjitha qendrat diagnostike në shtet dhe në mënyrë qendrore merren e lexohen/përpunohen nga ana e radiologëve të cilët janë të lirë atë moment”, deklaroi Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.

Sipas të dhënave të platformës “Termini Im” qasja e mjekësisë sekondare për udhëzime me prioritet ka bërë që shumica e ekzaminimeve të Radiologjisë në Q.K.U. “Nënë Tereza” janë bërë jashtë terminëve. Autoritetet shëndetësore thonë se mbi 200 pacientë trajtohen çdo ditë në Radiologji andaj sipas tyre, decentralizimi i qendrës diagnostikuese në çdo spital rajonal do të jetë zgjidhja afatgjate e problemit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button