Sofja, e gatshme të diskutojë me Shkupin

Megjithëse ende nuk ka datë për takim dypalësh mes kryeministrave Zaev dhe Boriosv, Ministria e Jashtme e Bullgarisë shprehet e gatshme t’i diskutojë me Maqedoninë e Veriut çështjet e hapura, duke përjashtuar historinë e përbashkët, me arsyetimin se kjo është detyrë e komisionit të ekspertëve. Sa iu përket kërcënimeve se Sofja do ta bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Shkupit nëse dallimet nuk tejkalohen, diplomacia bullgare konfirmoi për Alsat se pozicioni i saj mbetet i pandryshuar.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë:

“Iniciuam Deklaratën e përbashkët të Kryeministrave në vitin 1999 dhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017. Kjo marrëveshje i hapi rrugë asaj të Prespës, anëtarësimit në NATO dhe fillimit të negociatave me BE-në. Fatkeqësisht, zbatimi i kësaj marrëveshjeje nuk është i kënaqshëm në asnjë fushë. Jemi përpjekur shumë që ta kthejmë zgjerimin në axhendën e BE-së. Pozicioni kombëtar i Bullgarisë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë përcaktohet qartë me Pozicionin Kornizë, të miratuar nga Asambleja Kombëtare.”

Sipas dokumentit të miratuar në parlamentin bullgar kohë më parë, Sofja do të lejojë mbajtjen e konferencës nëse plotësohen ndër tjerash kushtet sikurse: të qartësohet se Maqedonia e Veriut është vetëm etnitet politik, të hiqen nga përdorimi cilësimet “Bullgaria okupatore fashiste”, të arrihet marrëveshje për Goce Dellçevin. Ndërsa për gjuhën të përdoret fraza “Gjuha zyrtare e Maqedonisë së Veriut” ose termi “Gjuha maqedonase” të sqarohet me fusnotë se është dialekt i bullgarishtes, i kodifikuar në vitin 1944.

Pas bisedës së djeshme telefonike, kryeministrat, Zaev e Borisov thanë se Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, duke u shprehur të bindur se të dyja palët do të mbeten të angazhuara për zbatimin e Marrëveshjes së 2017-tës. Inkurajuan komisionin e ekspertëve të gjejnë zgjidhje të përbashkëta. Pas një pauze të gjatë ekipet e dy vendeve pritet të takohen më 15-16 tetor në Shkup.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button