I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen tha gjatë një vizite në Prishtinë se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet. Sorensen u takua me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Duke folur për media Sorensen tha se ka shpresa se viti 2026 do ta japë atë që viti 2025 nuk na e dha. Osmani, ndërkohë, theksoi se dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të një sulmi nga një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në shtator të atij viti.
Pas takimeve në Prishtinë, Sorensen udhëton drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë. Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.
“Ajo që do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare në rolin tonë si lehtësues të dialogut: të sigurohemi që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë i vizitoi si Beogradin ashtu edhe Prishtinën vitin e kaluar. Atje kemi marrë zotime se do të ketë një takim kur të vijë koha e duhur. Ajo do t’i thërrasë palët, ato do të vijnë dhe pastaj do të shohim”, tha Peter Sorensen, i dërguar i posaçëm i BE-së./ Alsat.mk








