Hetohen shkaqet e zjarrit në Tetovë ku mbeti i vdekur një 76 vjeçar, derisa personi i lënduar është lëshuar për kurim shtëpiak
Hetohen shkaqet e zjarrit në Tetovë ku mbeti i vdekur një 76 vjeçar, derisa personi i lënduar është lëshuar për kurim shtëpiak
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Një i vdekur dhe një i lënduar në zjarrin që përfshiu një banesë në rrugën 180 në Tetovë. Gjendja shëndetësore e personit të lënduar është e qëndrueshme dhe pas trajtimit mjekësor është lëshuar për kurim shtëpiak.
“Në repartin e kirurgjisë u soll një pacient i moshës 51 vjeçare i cili ka pasur lëndime trupore, pra djegie në dorën e djathtë dhe në fytyrë. Në repartin tonë u bë sanimi i plagëve dhe më pas shkaku i simptomave intoksifikuese u dërgua në repartin internistik dhe në infektive për të marrë terapinë adekuate. Gjendja e pacientit është e mirë dhe është lëshuar për kurim shtëpiak”, deklaroi Shaqir Zulbehari, mjek në Spitalin Klinik të Tetovës.
Sipas zjarrfikësve, në banesën e njëjtë zjarr ka pasur edhe para disa ditëve, por është arritur të shuhet në kohë.
“Në të njëjtën banesë para dhjetë ditësh patëm njëjtë zjarr të paraqitur dhe intervenuam neve si zjarrfikës. Shkaqet dihet, ai ka përdorur bombolë gazi e cila ndoshta është harruar, por besoj më tepër detaje do jep prokurori që ishte në vendngjarje”, tha Avni Ameti, shef i NJTKZ Tetovë.
Prokurori ka dhënë urdhër që të kryhet obduksion i trupit të pajetë të 76 vjeçarit, si dhe ka urdhëruar ekspertizën e banesës për të konstatuar shkaqet e zjarrit. Sipas policisë, i moshuari ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Mbrëmë rreth orës 19 e 20 në SPB Tetovë, është raportuar për një zjarr që ka përfshirë banesën në rrugën 180 blloku 70, ku në vendngjarje ka ndërruar jetë një 76 vjeçar me iniciale O.S., dhe vdekjen e tij e konstatuar mjeku i Spitalit Klinik, ndërsa gjatë tentimit për të shuar zjarrin me djegie ka përfunduar djali i tij, M.S. 51 vjeç”, u shpreh Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Shkaku i sezonit të ngrohjes dhe përdorimit të ngrohëseve, sipas zjarrfikësve të Tetovës, muajin e fundit është shtuar numri i zjarreve nëpër objekte banimi dhe dyqane. /Alsat.mk








