Sot nis gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Sot nis gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Sot në Hagë do të nis gjykimi ndaj Pjetër Shalës, njoftimi u bë nga Dhomat e Specializuara.

Seanca ndaj Shalës fillon nga ora 9:30 ndërkaq transmetohet 45 minuta me vonesë në faqen zyrtare të DHSK-së.

Versioni i parë i Aktakuzës kundër Pjetër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe Aktakuza e konfirmuar e korrigjuar u dorëzua më 1 nëntor 2021.

“Z. Shala akuzohet mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me katër akuza për krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Pretendohet se krimet u kryen afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, që pretendohet se shfrytëzohej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)”, thuhet në njoftim.

Më 21 shkurt, kryegjykatësja do të hapë gjykimin, do të kërkojë që të akuzuarit t’i lexohen akuzat, do ta informojë atë për të drejtat dhe detyrimet dhe do ta pyesë nëse e ka kuptuar Aktakuzën dhe nëse dëshiron të konfirmojë vetëdeklarimin e tij të mëhershëm si i pafajshëm. Më pas, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbrojtësi i viktimave dhe Mbrojtja do të kenë përkatësisht nga dy orë për të bërë deklaratat e tyre hyrëse. Mbrojtja ka bërë të ditur se pas deklaratës hyrëse të saj, z. Shala dëshiron të bëjë një deklaratë të shkurtër pa betim, me kohëzgjatje prej përafërsisht 5 minutash.

Deri më tani janë pranuar tetë persona për të marrë pjesë në proces si viktima dhe procesi i paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrje si viktimë është ende i hapur. Personat të cilët mund të vërtetojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si rezultat i drejtpërdrejtë i një krimi të pretenduar në Aktakuzën e konfirmuar të korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces. Këtu mund të përfshihen si personat që kanë pësuar dëm të drejtpërdrejtë ashtu edhe ata që kanë pësuar dëm jo të drejtpërdrejtë, për shembull, për shkak të lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar/Klankosova.tv

LEXO EDHE:

Back to top button