Strategji e re për qëndrueshmëri demografike, fokus te të rinjtë dhe familja

Gazetare: Melihate  Rustemi

Mungesa e fuqisë punëtore, shkolla gjysmë të zbrazëta dhe plakja e popullsisë nuk janë më vetëm paralajmërime, por realitet i hidhur në të gjithë rajonin. Në konferencën rajonale në Shkup, u tha se sistemet tona nuk funksionojnë si duhet. Nëse nuk ndryshohet mënyra e kujdesit ndaj njerëzve rrezikojmë të mbetemi vend pa të rinj dhe pa të ardhme. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se është koha të mendojmë për plane afatgjata. Ai njoftoi Strategjinë e re për Qëndrueshmëri Demografike 2026–2046, duke kërkuar një kontratë të re sociale mes qytetarit dhe shtetit.

“Thelbi nuk është vetëm te numrat, por te cilësia e jetës. Ne kemi përgatitur Strategjinë 2026–2046 jo si dokument formal, por si kornizë për ardhmërinë. Duhet t’ia shtrojmë vetes pyetjen: çfarë mund të bëjmë ne për atdheun, e jo vetëm atdheu për ne. Nuk mund të jemi vetëm konsumues të sistemit, duhet ta ndërtojmë atë. Mesazhi im për të rinjtë është: në shtëpi duhet të ëndërrojmë dhe ta ndërtojmë të ardhmen, sepse vetëm këtu sistemi do të na kthejë mbrapsht atë që investojmë”, tha kryeministri, Hristijan Mickoski.

Zëvendësdrejtori i UNFPA-së, Pio Smith, theksoi se Evropa Lindore mbetet rajoni me rënien më të shpejtë të popullsisë në botë dhe se investimi te të dhënat dhe barazia gjinore është rruga e vetme për sukses.

“Në këtë rajon gjenden 11 popullsitë me rënien më të shpejtë në botë. Njerëzit dëshirojnë të kenë më shumë fëmijë, por barrierat ekonomike dhe sociale i pengojnë. Çdo dollar i investuar në të dhënat për popullsinë sjell një kthim prej 32 dollarësh. Duhet të mbrojmë të drejtat riprodhuese dhe barazinë gjinore nëse duam ta ndryshojmë trendin,” theksoi, Pio Smith, zëvendës drejtor i UNFPA-së.

Konferenca do të vijojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme, ku priten të dalin rekomandime konkrete për harmonizimin e politikave rajonale. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button