Temperaturat e larta, mjekët: Shmangni ekspozimin në diell

Gazetare: Melihate Rustemi

Temperaturat e larta deri në 40 gradë mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve, prandaj nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë thirrje për kujdes dhe njohjen e shenjave të para të problemeve të shkaktuara nga nxehtësia. Mjeku, David Zdraveski nga Instituti i Shëndetit Publik thekson se ndër simptomat që duhet të merren seriozisht janë marramendja, dhimbja e kokës dhe humbja e vetëdijes. Sipas tij, mund të shfaqen edhe ngërçe muskulore, të cilat kërkojnë vëmendje nëse nuk qetësohen brenda një ore. Personat mbi 65 vjeç që marrin rregullisht terapi, nëse nuk ndihen mirë gjatë ditës, duhet të konsultohen me mjekun e tyre familjar ose të kontaktojnë Ndihmën e Shpejtë Mjekësore. Gjithashtu, mjeku Zdraveski tha që personat mbi 65 vjeç të shmangin përdorimin e furrës dhe pajisjeve që përhapin nxehtësi pas orës 13:00, pasi ato krijojnë temperaturë shtesë dhe mund të ndikojnë negativisht.

“Sepse megjithatë krijojnë më shumë nxehtësi dhe mund të ndikojnë negativisht. Gjithashtu, duhet të njihen edhe simptomat bazë që mund të shfaqen. Ato janë marramendja, dhimbja e kokës, humbja e vetëdijes. Mund të shfaqen edhe ngërçe muskulore. Nëse ngërçi muskulor shfaqet dhe brenda një ore nuk qetësohet me ujë të ftohtë dhe hidratim të mjaftueshëm, atëherë duhet të thirret Ndihma e Shpejtë Mjekësore. Gjithashtu, lëkura e nxehtë dhe e thatë duhet të njihet si shenjë alarmi dhe menjëherë duhet të thirret ambulanca ose, nëse është e mundur, të konsultohet mjeku amë.” – David Zdraveski, Instituti I Shëndetit Publik.

Nga Instituti I Shëndetit Publik thanë se në kushtet e temperaturave të larta, vëmendje duhet t’ i kushtohet edhe përdorimit të kondicionerëve. Sipas rekomandimeve të përgjithshme të përmendura nga mjeku Zdraveski, diferenca mes temperaturës së ambientit të jashtëm dhe asaj brenda nuk duhet të jetë shumë e madhe.

“Sipas rekomandimeve të përgjithshme, nëse temperatura është 39 gradë Celsius, kondicioneri duhet të vendoset në një temperaturë që i përshtatet trupit. Nuk duhet të jetë 20 gradë Celsius, por diku rreth 25 gradë, në mënyrë që organizmi të mund të përshtatet më pas kur të dalë jashtë, në ambient të hapur.” – David Zdraveski, Instituti I Shëndetit Publik.

Sa i përket ushqimit, rekomandohet të konsumohet sa më shumë ushqim i lehtë, me më pak yndyrë dhe kalori, si dhe të shmangen ushqimet që përmbajnë sasi të mëdha sheqeri dhe alkooli. Për gratë shtatzëna, Zdraveski tha se ato duhet të ndjekin rekomandimet e gjinekologëve të tyre, ndërsa personat me sëmundje kronike duhet të vazhdojnë të marrin rregullisht terapinë e përshkruar. Si masa shtesë, ai rekomandoi veshjen e rrobave të lehta dhe me ngjyra të çelëta, mbajtjen e kapelës dhe përdorimin e syzeve të diellit për ata që dalin në diell. Gjithashtu, rekomandohet përdorimi i kremit mbrojtës me SPF 30. Sipas parashikimeve të meteorologëve, mot shumë i nxehtë, me temperatura deri në 40 gradë, pritet gjatë dy ditëve të ardhshme. Një freskim i lehtë pritet nga e enjtja. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button