Studentët në polici për rastin “Besiana”, opozita: Policia, presion ndaj studentëve

Studentët në polici për rastin “Besiana”, opozita: Policia, presion ndaj studentëve

Gazetar: Mefail Ismaili

Dy studentët të cilët protestojnë kundër profesores së UT-së Besiana Mehmedi, Ardi Lena dhe Bleron Veiu të cilët u ftuan në polici për audion e publikuar, thonë se nuk kanë kryer kurrfarë vepre penale. Studenti Bleron Veliu tha se ka qëndruar shkurt në polici, ndërsa studenti Ardi Lena deklaroi për Alsat se ndodhet në Strugë dhe pret që ftesa t’i arrijë në sektorin e MPB-së atje.

“Profesorja në fjalë, Besiana, më ka akuzuar se më datë 21 mars 2022 kam incizuar pa të drejtën e saj dhe p të njëjtin incizim e kam publikuar në Youtube. Unë në deklaratën time i demantova këto akuza për shkak se nuk i kam bë unë dhe nuk e di kush i ka publikuar”, deklaroi Bleron Veliu, student.

“Unë e informova policinë se jam në Strugë dhe nuk do të mund të shkojë në Tetovë, kështu që policia e Tetovës ankesën në emër tim e ka dërguar në Strugë dhe pres të më thirri policia e Strugës sepse ende nuk e di se çfarë ankese ka bërë ndaj meje. Ndaj studentit Bleron Veliu u mor vesh por ndaj meje nuk kam informatë të saktë se çfarë akuze mund të ketë ngritur”, tha Ardi Lena, Student.

Të hënën studentët e Muzikës në Fakultetin e Arteve në UT do të mbajnë edhe një mbledhje ku do të vendosin për hapat e mëtutjeshëm. Studentët thonë se po e shqyrtojnë mundësinë për padi private ndaj profesores Besiana Mehmedi, për sjelljen e saj ndaj tyre. Marrja në pyetje e studentëve ka shkaktuar reagime politike. ASH thotë se “policia e BDI-zuar” duhet të ndalojë me metodat e UDB-së. Ndërsa nga Lëvizja BESA thonë se pushteti tenton të ngulfat fjalën e lirë.

“Sot kur BDI dhe i gjithë aparati shtetëror u vu në shërbim dhe mbrojtje të profesoreshës dhunuese, ne ndjehemi të detyruar që të vihemi në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbrojtje të studentëve. Studentët do të na kenë në krah me çdo mundësi që do të kemi në dispozicion”, thuhet në reagimin e Aleanca për Shqiptarët.

“Marrja në pyetje e studentëve që protestojnë është ngulfatje e fjalës së lirë dhe dëshmi për vazhdimin e një regjimi hibrid që të ndjellë frikë dhe të parandalojë kreativitetin e rinisë. Dënojmë çdo veprim që ka për qëllim heshtjen e studentëve, presionin ndaj tyre dhe ndjelljen e frikës”, thonë nga Lëvizja BESA.

Studentët e Katedrës së Muzikës së Fakultetin e Arteve në UT, javën e kaluar dolën në protestë dhe filluan bojkotin e ligjëratave, duke kërkuar përgjegjësi për sjelljen e profesores Besiana Mehmedi. Ndërsa profesorja Mehmedi i ka hedhur poshtë akuzat e studentëve./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button