Subvencionet për bashkësitë etnike, ekzistojnë prej vitesh

Punëdhënësit në ndërmarrjet private disa vite me radhë marrin subvencione nga shteti nëse punësojnë qytetarë nga kategoritë e rrezikuara nga komunitetet etnike. Në vitin 2018, subvencionet iu dhanë punëdhënësve të cilët do të punësojnë gra nga bashkësitë më të vogla etnike, por në dy vitet e fundit kjo normë ka ndryshuar me punësimin e grave nga të gjitha bashkësitë etnike.

Kështu, çdo punëdhënës që punëson një person në ndërmarrjen e tij në këtë bazë merr një pagë bruto të subvencionuar në vlerë prej 19 mijë denarë, për një periudhë prej tre, gjashtë ose dymbëdhjetë muajsh. Punëdhënësi është i detyruar ta mbajë punonjësin për dy vjet e gjysmë punë në mënyrë që të jetë në gjendje të përdorë subvencionin 12-mujor. Në shpalljen e fundit të publikuar këtë qershor, Agjencia ofron subvencione për kompanitë, që do të punësojnë gra të komunitetit etnik rom, dhe gra nga bashkësi të tjera etnike. Shpallja është e hapur deri në fund të vitit.

Nga Agjencia e Punësimit thonë se kjo masë e subvencionuar ka për qëllim të ndihmojë kategoritë e ndryshme të qytetarëve të cilët nuk mund të punësohen për një kohë të gjatë, janë viktima të dhunës në familje ose janë prindër të vetëm. Ky program është pjesë e planit operativ të Qeverisë për punësim për çka u ndanë 1.4 miliardë denarë. Sa para janë ndarë konkretisht për subvencionimin e masës për punësimin e grave nga bashkësitë etnike nuk dihet, por Agjencia thotë se në vitet e fundit për sa kohë që është zbatuar kjo masë kishte interes të madh nga kompanitë.

Andrea Çobanova

LEXO EDHE:

Back to top button