Sulmet terroriste në veri të Kosovës, tetë të arrestuar dhe arsenal armatimi i konfiskuar

Sulmet terroriste në veri të Kosovës, tetë të arrestuar dhe arsenal armatimi i konfiskuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pas aktit terrorist të së premtes, kur u me eksploziv u dëmtua kanali i Ibër – Lepencit, policia ka arrestuar tetë persona të dyshuar në veri të vendit dhe ka konfiskuar arsenal të armatimit.

Ai thotë se sulmi i fundit ndaj infrastrukturës jetike është më i rëndi në Kosovë që nga paslufta.

Sveçla thotë se institucionet tashmë kanë bashkërenduar aktivitetet për të zbardhur ngjarjen.

“Pas hetimeve intensive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në. Në këto aksione janë konfiskuar armë, eksplozivë, uniforma e gjëra tjera që do t’i shërbejnë hetimit”, ka deklaruar Sveçla.

 

“Kemi konfiskuar arsenal armësh dhe uniforma me emblema e pajisje ushtarake që do të shërbejnë si dëshmi relevante”, ka shtuar ai.

Komandanti i PK-së, Gazmend Goxha, ka thënë se janë konfiskuar 200 uniforma ushtarake, raketahedhës e pajisje të tjera, që dyshohet se lidhen me sulmin e djeshëm terrorist dhe raste të mëhershme.

Ministri i Punëve të Brendshme ka deklaruar se shumica e pajisjeve janë të prodhimit serb, por që disa pajisje janë ekskluzive ushtarake që nuk gjenden as në tregun e zi.

“Eksplozivi i përdorur mbrëmë është material që vështirë që gjendet, pos që furnizimet janë nga magazinat e ushtrisë. Ne besojmë se ato kanë dalë nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Policia e Kosovës do ta verifikojë këtë”, ka shtuar Sveçla.

Ndryshe, në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

LEXO EDHE:

Back to top button