Sulmi nga qentë endacakë është bërë përditshmëri në Gostivar dhe zonat e tjera të Pollogut

Sulmi nga qentë endacakë është bërë përditshmëri në Gostivar dhe zonat e tjera të Pollogut

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Ishte nisur për në punë por nuk ia doli të shkojë ngase u sulmua nga qentë endacakë!

Pamjet e këtilla në Lagjen e re tek Stadiumi i qytetit në Gostivar dhe në disa lagje të tjera të qytetit janë të shpeshta. Banorët e lagjes druajnë se pos qenve, mund të paraqitet edhe ndonjë sëmundje nga mbeturinat e kockat e kafshëve që i sjellin qentë.

“Ne këtu kemi shumë probleme. Përveç mbetjeve që i shihni vet kemi edhe një numër të madh të qenve endacakë sepse për çdo ditë kemi sulme të banorëve, të lagjes. Dje patëm një rast shumë të keq ku u sulmua një zonjë nga mbi dhjetë qen. Fat që një zonjë tjetër e kishte pa rastin dhe kishte vrapuar për të shpëtuar. Kemi apeluar në komunë, përmes rrjeteve sociale që të ndërmerret diçka, por hasim në veshë të shurdhër. Për fat të keq pa ndërhy në punët e komunës, kemi edhe ketë problem një kohë të gjatë, një kohë i marrshin në rregull ndërsa tash ndodh edhe kjo mbesin nëpër kosha plehrat”, u shpreh një banor.

“Ka tepër qen këtu as në shtëpi s`mund të hyjmë apo të dalim. Shiheni kocka na sjellin këtu koka kafshësh. Sulmojnë njerëz assesi s`mund të kalosh në atë anë”, tha një tjetër banor.

“S`mund ta nxjerrim mbesën ja shiheni qen ka shumë mbeturina. Çe tri ditë mbetjet janë aty”, nënvizoi një tjetër banor.

Për këtë problem me të cilin përballen banorët, në Komunën e Gostivarit i ngrenë supet. Sikurse prej vitesh, edhe këtë herë thonë se ka projekt për strehimore rajonale, por presin edhe mbështetje nga Qeveria.

“Ka projekt për një strehimore rajonale që do jetë në komunën e Vrapçishtit dhe është shpallur thirrja në BZHRP, dhe besoj që do arrijmë marrëveshje që si komuna të Pollogut të aplikojmë në këtë thirrja apo eventualisht të gjejmë mjete nga ndonjë burim tjetër. Duhet edhe pushteti qendror të ketë një qasje pak më ndryshe për zgjidhjen e këtij problemi, sepse nuk ta bëj vetëm me një komunë të caktuar”, deklaroi Valbon Limani. Kryetar i komunës së Gostivarit.

Pos Gostivarit, me problem të ngjashëm përballen edhe Komuna e Tetovës dhe të gjitha komunat rurale në Pollog. Krerët e nëntë komunave, për vite të tëra si zgjidhje të problemit shohin ndërtimin e strehimores rajonale e që në fakt ka mbetur vetëm në letër. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button