Sveçla për Alsat: Të gatshëm të zbatojmë reciprocitetin nga 1 shtatori

Sveçla për Alsat: Të gatshëm të zbatojmë reciprocitetin nga 1 shtatori

Intervistoi: Fatlume Dervishi

Nga 1 shtatori, Kosova pritet të fillojë zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla thotë se policia e Kosovës është e gatshme të zbatojë vendimin. Ai beson se qytetarët serb në veri e kanë kuptuar nevojën e zbatimit të këtij vendimi i cili është me përfitime për to. Zbatimi i vendimit më herët, thotë ministri i Brendshëm i Kosovës është penguar nga strukturat kriminale që janë pasuruar dhe fuqizuar me ndihmën e Beogradit për të luftuar shtrirjen dhe sundimit dhe ligjit në atë zonë.

– Z.Ministër, mirë se vini në këtë intervistë në Alsat. Më 1 shtator fillon zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për targat dhe letërnjoftimet. A është qeveria e Kosovës e përgatitur për zbatimin e këtij vendimi duke qenë se kohën e fundit jo pak herë e kemi dëgjuar fjalën destabilizim. A ka gjasa për një gjë të tillë?

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të fillojë zbatimin e këtyre dy vendimeve dhe pa asnjë hezitim ne ato vendime do t’i realizojmë. Bëhet fjalë për një lëshim të dokumentit për hyrje-dalje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, gjë e cila ndodh me shtetasit e Kosovës tashmë për 11 vite. Dhe vendimi i dytë është kalimi i veturave me targa ilegale në vetura me targa legale. Edhe ky një vendim plotësisht i ligjshëm dhe i bazuar në marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel. Po, ka pasur tendenca destabiliteti nga struktura kriminale në veri të mbështetura dhe të drejtuara nga Beogradi e të cytura nga Moska. Por unë jam i bindur se institucionet e sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse e këtij procesi, janë plotësisht të pjekura, të gatshme dhe mjaftueshëm të forta që të zbatojnë këto dy vendime.

– Ky vendim duhej të hynte në fuqi nga 1 gushti u shty për shkak të tensioneve në veri. Çfarë nëse përsëritet e njëjta situatë?

Zbatimi i këtyre dy vendimeve u shty për një muaj me qëllim që qytetarët e etnisë serbe në Kosovë të informohen sa më shumë, sa më drejt për këto dy vendime. Ne dhe aleatët tanë ndërkombëtarë kishim ndjenjën se kishte një keqpërdorim të shtuar të këtyre qytetarëve duke qenë viktima të propagandave të Serbisë dhe Rusisë prandaj vlerësuam se është e nevojshme që të vazhdojmë me këto fushata vetëdijesuese. Tashmë jam i bindur se qytetarët tanë të etnisë serbe të cilët preken nga çështja e ndryshimit nga targa ilegale në targa legale janë të informuar mbi të gjitha benefitet që ata gëzojnë me fillimin e këtij procesi. Sa për njoftim të shkurtër, të gjithë ata pa asnjë ngarkesë financiare dhe me procedura jashtëzakonisht të thjeshtëzuara, me formalitete shumë të vogla do të mund të kalojnë në vetura me targa legale. Në krahasim me qytetarët tjerë ky është një kursim prej 5-6 mijë euro për veturë.

 

– Përmendët strukturat kriminale. Çfarë po bën policia e Kosovës ose a ka plan veprimi për të vënë në kontroll këto struktura kriminale, a keni pasur sukses deri më tani dhe a besoni që do të ketë sukses deri më 1 shtator dhe të mos përsëritet destabilizimi?

Patjetër që sukseset janë evidente. Ne në veri tashmë kemi një situatë komplet ndryshe, të paimagjinueshme nga më herët për sa i takon sundimit të rendit dhe ligjit. Policia jonë është ballafaquar me grupe kriminale atje të cilat në aspektin etnik janë të përziera, ka shqiptarë, serbë, boshnjakë, dhe etnitete të tjera. Si rezultat i punës së përditshme të fuqishme të policisë së Kosovës, ne kemi zbulim të shumë laboratorëve të drogës, apo lokacione ku kultivohen lloje të ndryshme të drogave por edhe minifabrika të kriptovalutave e cila është veprimtari ilegale meqenëse rryma në atë zonë as nuk paguhet, dhe kontrabandë të mallrave të ndryshme, posaçërisht mallrave me akcizë. Të gjithë këto suksese u kanë penguar grupeve kriminale, u kanë penguar strukturave paralele të Serbisë, i kanë penguar shteti të Serbisë dhe rrjedhimisht kemi dhe një reagim të cilin e pamë edhe herën e kaluar më 31 korrik-1 gusht. Por, ne jemi të vendosur që sundimi i rendit dhe ligjit duhet të shtrihet dhe këtë e dëshmojmë çdo ditë me punën tonë. Dhe unë jam i bindur se ata edhe e kanë kuptuar se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç që t’i nënshtrohen ligjit si çdo qytetar tjetër I Republikës së Kosovës.

– Zyrtarët e Serbisë thonë se serbët në veri po diskriminohen, se po përdoren nga Qeveria e Kosovës për keqinformim të opinionit, për t’u nxitur edhe më tej. Cila është e vërteta pas kësaj dhe a jeni të koncentruar atje që këto pretendime të marrin një formë tjetër?

Ne me kujdes po përcjellim të gjitha deklaratat e politikanëve të ndryshëm nga Serbia. T’ju them të drejtën, jo vetëm që janë të njëjtit persona por është edhe e njëjta gjuhë e fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90. Të njëjtit njerëz të cilët shkaktuan katër luftëra në rajon, vazhduan të qeverisin me Serbinë, tashmë i janë kthyer retorikës së vjetër shoviniste dhe përmes kësaj tentojnë që, nën një; të pasqyrojnë një tablo komplet të rrejshme për situatën në Kosovë dhe nën dy; të mobizilojnë elemente radikale brenda shoqërisë serbe në mënyrë që ata pastaj të keqpërdoren. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë diskriminimi. Ne me aktivitetet tona nuk jemi të drejtuar kundër cilitdo qytetar pavarësisht përkatësisë etnike apo çfarëdo lloj përkatësie tjetër thjeshtë policia e Kosovës është aty për të përmbushur detyrën e tyre kushtetuese, ajo është vendosja e rendit dhe ligjit dhe këtë po e bën suksesshëm pa kurrfarë diskriminimi, pa kurrfarë incidenti me qytetarët e asaj pjese po edhe të asnjë pjesë tjetër.

– Sa janë të sigurt shqiptarët e Kosovës në veri?

Unë besoj se janë të sigurt. Ne kemi mekanizmat e mjaftueshëm që t’i sigurojmë, të garantojmë siguri dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës përfshirë edhe shqiptarët në veri. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button