Të enjten skadon masa e Qeverisë për çmimet e garantuara – Nuk do të vazhdohet më!

Të enjten skadon masa e Qeverisë për çmimet e garantuara – Nuk do të vazhdohet më!

Gazetar: Adnan Qaili

Në raftet e marketeve çmimet e garantuara do të jenë deri të enjten. Masa e Qeverisë skadon në ditën e fundit të muajit, më 29 shkurt dhe Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se nuk do vazhdohet, shkruan Alsat.

Autoritetet thonë se do të presin miratimin e Ligjit për ndalimin e praktikave jo korrekte të tregtisë, i cili është në procedurë parlamentare pasi u miratua nga Qeveria në dhjetor të vitit të kaluar.

Akoma nuk dihet nëse ligji i ri do t’i kalojë të gjitha filtrat parlamentarë deri në fund të javës, pasi të mërkurën në seancë plenare votohet leximi i parë për tu rikthyer në Komisionin amë për amendamente shtesë.

Nga Ministria e Ekonomisë thonë se me miratimin e Ligjit do të vendoset rend dhe do të ketë ulje çmimesh.

“Zgjidhja ligjore që vendos rend në konkurrencën e pandershme në tregti dhe vendos praktika të drejta mes tregtarëve dhe furnitorëve në zinxhirin e produkteve bujqësore dhe ushqimore pritet të hyjë në lexim të dytë në komisionet e Kuvendit këtë javë. Presim që kjo zgjidhje ligjore, e cila është plotësisht në përputhje me rregulloren evropiane dhe është me flamurin evropian, të miratohet sa më shpejtë”, tha Ministria e Ekonomisë.

Ligji për parandalimin e praktikave të padrejta të tregtisë parashikon kufizimin e zbritjes prej 10%, gjoba nga 1 mijë deri në 20 mijë euro dhe një periudhë zbatimi deri në gjashtë muaj.

Mbetet të shihet nëse të premten, më 1 mars do të ketë një goditje të re çmimesh për qytetarët nëpër dyqane dhe tregje.

Nga organizata joqeveritare “FinanceThink” thonë se kjo paraqet një rrezik të madh për shok të ri të çmimeve pasi që ngrirja për disa muaj nuk ka qenë koherente me ekonominë e tregut të lirë.

“Garanci nuk mund të jep askush nëse nuk do të shtrenjtohen çmimet apo në çfarë niveli do të korrigjohen sepse në një ekonomi të lirë tregu çmimet varen nga kërkesa dhe oferta nga palët e përfshira. Vlerësoj se masa për çmimet e garantuara ka konsumuar efektet e saj dhe masat tjera që duhet të kalojnë në menaxhimin e çmimeve duhet të rregullohen me kornizë ligjore, duke përfshirë Komisionin për mbrojtje nga konkurrenca dhe autoritetet tjera të shtetit”, u shpreh Bllagica Petreski, FinanceThink.

Masa e “çmimit të garantuar”, e cila u prezantua nga qeveria në gjysmën e dytë të shtatorit të vitit të kaluar si zëvendësim për ngrirjen e çmimeve, përfshinte njëzet kategori produktesh si orizi, mielli i grurit të llojit 400 dhe 500, buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë dhe produkte të tjera buke, biskota, makarona, mish viçi, derri dhe pulë, disa produkte ushqimore, qumësht, dhe produkte të tjera të qumështit.

Çmimet e garantuara më vonë u vendosën edhe për birrën, lëngjet e gazuara dhe jo të gazuara dhe ujin. Të mërkurën skadon edhe masa e qeverisë që kufizon doganën në 10 për qind për importin fruta-perimeve, gjë që mund të rrisë më tej çmimet në tregje./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button