Gazetare: Ajnur Bafqari
Më nisjen e vitit të ri shkollor, transporti publik në kryeqytet do të jetë në kolaps të plotë. Transportuesit privatë kanë vendosur të parkojnë shumicën e autobusëve nga 2 shtatori. Qytetarët, dhe sidomos nxënësit të hënën do të përballen me mungesën e 150 autobusëve. Transportuesit privatë nuk do të qarkullojnë me kapacitet të plotë gjatë ditës. Ata do të ndezin motorët vetëm një herë në ditë, përkatësisht në një linjë do të ketë vetëm nga një autobus privat. Nxënësit janë të shqetësuar dhe nuk e dinë se si do të udhëtojnë për në shkollë. Qytetarët thonë se me këtë problem po ballafaqohen tashmë disa muaj, por sipas tyre me fillimin e vitit shkollor kaosi do të jetë edhe më i madh.
“Nuk e di, unë mësoj në Karposh dhe do të jetë shumë rëndë”, tha një qytetare.
“Unë nuk shkoj në shkollë me autobus sepse jetoj më larg, shkoj me babin tim. Presim 30 minuta”, tha një qytetare tjetër.
“Katastrofë është, nuk kam koment, është turp të flasim, prandaj them edhe unë, do të ketë turma, ja unë shkoj për në Shutkë, nuk ka autobus, nuk ka asnjë ditë, ja 19-ta dhe 20-të nuk ekzistojnë, nuk ekzistojnë”, tha një qytetar.
Ky vendim i transportuesve privatë, vjen për shkak të borxhit të Qytetit të Shkupit ndaj tyre si dhe premtimit të parealizuar për rritjen e tarifës, përkatësisht pagesa më të larta në pajtueshmëri me standardin e ri ekonomik, pas krizës. Alsat mëson se të hënën pritet një takim mes përfaqësuesve të transportuesve privatë me sekretarin e Qytetit të Shkupit dhe drejtorin e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik. Tentime për gjetjen e një zgjidhjeje kishte edhe në të kaluarën. Paraprakisht në Qeveri u zhvillua një takim mes kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, me kryeministrin Hristjan Mickoski, por pa një marrëveshje konkrete të arritur. Pasoi edhe shpalosja e planit për dalje nga kaosi nga ana e Arsovskës, por përsëri pa asnjë zgjidhje konkrete lidhur me këtë çështje./Alsat.mk








