Të mbijetuarit tërhiqen nga rrënojat e Mianmarit, numri i të vdekurve rritet në 1700
Mediat botërore raportojnë se sot pati pasgoditje që frikësuan banorët në Mandalay teksa kërkonin të mbijetuar në ndërtesat e shembura.

Numri i të vdekurve nga tërmeti në Mianmar vazhdon të rritet pasi ekipet e huaja të shpëtimit dhe ndihma po nxitojnë drejt vendit, ku spitalet janë të mbingarkuar.
Një tërmet me magnitudë 7.7, një nga më të fortët që ka goditur Mianmarin në një shekull, goditi vendin e shkatërruar nga lufta të Azisë Juglindore të premten, duke vrarë rreth 1700 njerëz, duke plagosur 3400 dhe duke lënë më shumë se 300 të zhdukur, tha ushtria.
Udhëheqësi i juntës, gjenerali i lartë Min Aung Hlaing, paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet dhe se administrata e tij përballet me një situatë sfiduese, raportoi media shtetërore, tre ditë pasi ai bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare.
India, Kina dhe Tajlanda janë ndër fqinjët e Mianmarit që kanë dërguar ndihma dhe ekipe, së bashku me ndihma dhe personel nga Malajzia, Singapori dhe Rusia.
Zyrtarët e Kryqit të Kuq kanë paralajmëruar se Mianmari po përballet me një krizë humanitare pas një tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.7, duke shtuar se ajo që ata po shohin aktualisht në Mianmar është një nivel shkatërrimi që nuk shihet në Azi për më shumë se njëqind vjet.
“Shkatërrimi ka qenë i gjerë dhe nevojat humanitare po rriten çdo orë. Me rritjen e temperaturave dhe afrimin e sezonit të musonit në vetëm disa javë, ekziston një nevojë urgjente për të stabilizuar komunitetet e prekura përpara se të shfaqen krizat dytësore,” – thuhet në deklaratën e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Prandaj ata kanë nisur një apel urgjent për të mbledhur 100 milionë franga zvicerane për të ndihmuar 100,000 njerëz të shpëtojnë jetë dhe të mbështesin shërimin e hershëm gjatë 24 muajve të ardhshëm.
Mediat botërore raportojnë se sot pati pasgoditje që frikësuan banorët në Mandalay teksa kërkonin të mbijetuar në ndërtesat e shembura.
Departamenti i zjarrfikësve të Mianmarit raportoi sot se katër persona u shpëtuan nga një ndërtesë e shembur shkolle në rajonin Sagaing, ndërsa një trup u gjet në vendin e aksidentit.
Një grua shtatzënë u tërhoq nga një ndërtesë apartamentesh e shembur në Mandalay, qyteti i dytë më i madh i Mianmarit, por ajo vdiq pak pasi u shpëtua, raportuan gazetarët e huaj.
Më herët, ekipet e shpëtimit nga Singapori dhe Mianmar njoftuan se një i ri u nxor nga rrënojat e një ndërtese në kryeqytetin Naypyidaw sot.
#MyanmarEarthquake | A man trapped under a collapsed building in Myanmar’s Naypyidaw for 40 hours has been pulled out alive by rescue teams. pic.twitter.com/gfsTTx3Egi
— The Federal (@TheFederal_News) March 30, 2025
Ai u shpëtua pasi kaloi më shumë se 40 orë nën një grumbull betoni dhe hekuri. Ekipet e shpëtimit kinez arritën të nxirrnin edhe një të moshuar, i cili gjithashtu kishte kaluar 40 orë nën rrënoja.
Tërmeti që goditi Mianmarin në orët e para të së premtes, i pasuar disa minuta më vonë nga një pasgoditje me magnitudë 6.7, shkatërroi ndërtesa, shemb ura dhe bllokoi rrugët nëpër pjesë të Mianmarit, me dëme serioze të raportuara në qytetin e dytë më të madh, Mandalay.