Tetova e tragjedive, gati për festime

Tetova e tragjedive, gati për festime

Gazetar: Bashkim Sulejmani

BDI-ja po bëhet gati për të festuar 20 vjetorin e partisë në Tetovën e tragjedive.

“Janë bërë edhe përgatitjet e fundit, këtu në sheshin “Iliria” në Tetovë për koncertin e madh që sonte do mbahet në kuadër të javës festive të BDI-së. Në këtë Tetovë ku vërshimet e lanë gjysmake pjesën më të madhe të saj, në këtë Tetovë ku zjarri që përshiu modularin tek spitali, mori jetën e 14  personave. Në këtë Tetovë, ku, para vetëm ca ditësh ndodhën edhe dy fatkeqësi të tjera, njëra në amvisëritë, e që janë rreth 100 të atilla që nga reshjet e shiut pësuan dëme të mëdha, dhe djegia e një fabrike në ish kombinatin e Duhanit në Tetovë, që pësoi dëme milionëshe”.

Banorët shprehen të revoltuar. I apelojnë partisë në pushtet që në vend të festave pompoze dhe të kushtueshme, të angazhohet për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

“Rinia na ikën, e këndej folin bëjmë këtë bëjmë at për shqiptarët. e mashtrojnë këtë popull me koncerte e me ku e di çka. Është turp i madh. Angazhime për ne bëjnë vetëm kur vijnë kampanjat zgjedhore, ndryshe këto para i kanë nga vjedhja në Qeveri”,u shpreh një banor.

“Nëse varemi si popull prej koncertit që dje u bë në Shkup sot në Tetovë gabim jemi, kjo është shumë gjë e vogël, ka gjëra shumë më të mëdha që nuk duken. E dini ku është gabimi në Maqedoninë e veriut! Se ne nuk kemi opozitë. Opozita në vendin tonë është e kapur e them me plotë përgjegjësi”, tha nje banor.

“Kanë po bëjnë. Për ne që jemi më të dobët s’kanë interesim aspak. Se si ja dalim, a kemi të ekzistojmë si i paguajmë rrymën faturat, përmbaruesit na mbytën, për ne është keq. Dolën me premtime që do ketë ndihmë e sende, po asgjë hiç. Bukë s’mund të blejmë, 40 denarë një bukë është bë”, u shpreh një banor.

Kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami thotë se nuk do të marr pjesë në koncertin e BDI-së. Ai porositi partinë e Ahmetit që të angazhohet për zbardhjen e tragjedive në Tetovë.

“Unë do ju sugjeroja që ata mjete që i kanë paraparë për të festuar në Tetovë, ti orientojnë në drejtim të përkrahjes së qytetarëve për tu ballafaquar edhe me pasojat e vërshimeve që patëm në Tetovë por edhe krizës ekonomike”, deklaroi Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

Në koncertet e BDI-së pjesëmarrës janë emra të njohur të estradës, angazhimi i të cilëve kushton mijëra e mijëra euro. Një ditë më parë kreu i BDI-së Ahmeti tha se pagesën e tyre e kanë bërë afaristë të ndryshëm./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button