“Tingujt që sollën lirinë”, projekti unik si dhuratë për ruajtjen e historisë
“Tingujt që sollën lirinë”, projekti unik si dhuratë për ruajtjen e historisë
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se një projekt unik është finalizuar në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
Gonxhja shprehet në një postim në rrjetet sociale: “Vinili filloi të rrotullohej pa ndërprerje nën gjilpërën e vjetër të gramafonit dhe sakaq muzika e çetave partizane filloi… Në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit sjell këtë projekt unik: “Tingujt që Sollën Lirinë” një përmbledhje të muzikës ikonike të filmave shqiptarë mbi luftën nacional-çlirimtare, interpretuar me mjeshtëri nga Kori dhe Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, e regjistruar në vinil”.
Ministri thekson se ky projekt është një dhuratë për të ruajtur historinë dhe për ta përcjellë brez pas brezi, me melodi që na kujtojnë heroizmin dhe shpirtin e papërkulur të një populli.
Përmbledhja muzikore e filmave shqiptarë ikonikë erdhën përmes duarve të arta të pianistes Etrita Ibrahimi, zërave të fuqishëm të sopranos Renisa Laçka, tenorit Gerald Murrja dhe Biorn Hoxha, orkestrës dhe korit të TKOBAP-së, nën drejtimin e maestro Dritan Lumshi.
Kori i Zërave të Bardhë, drejtuar nga Sonila Baboçi, i dha koncertit një emocion të veçantë, duke e bërë këtë mbrëmje një homazh të denjë për historinë tonë kombëtare.