Tiranë, tetë të dyshuar për djegien e flamujve serb
Fatlume Dervishi
Për djegien e flamurit serb në protestën e udhëhequr nga Sali Berisha të hënën në Tiranë u arrestuan dy persona dhe po procedohen në gjendje të lirë 6 të tjerë. Ngjarja u regjistrua gjatë protestës kundër takimit të Ballkanit të hapur dhe qëndrimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Shqipëri.
Dy të arrestuarit janë identifikuar si Astrit Cara, 41 vjeç, banues në Tiranë, dhe Besnik Balani, 56 vjeç, banues në Krujë. 6 të miturit janë të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës. Ndaj tyre rëndon vepra penale nxitje e urrejtjes dhe poshtërim i simboleve të Republikës. Video u postua mbrëmjen e së hënës edhe nga vetë kryeministri shqiptar Edi Rama me mbishkrimin: Unë tradhtar dhe ky patriot? Zot ruaje Shqipërinë nga të marrët.
Presidenti serb Vuçiq në intervistë për median serbe RTS komentoi ngjarjen duke përshëndetur veprimin e autoriteteve shqiptare.
“E di që shumica janë të interesuar se çfarë do të them për djegien e flamujve, por në mënyrë racionale duhet të shikojmë nga e ardhmja dhe të kuptojmë se zemërohen kur u djegim flamujt dhe kjo ndodhi para se Edi Rama të mbërrinte në Serbi. Nuk do të hyjmë në arsyet e tyre të brendshme partiake, por sigurisht që është e papranueshme përdhosja e simboleve dhe mendoj se Shqipëria ka reaguar me shpejtësi, seriozitet dhe përgjegjësi dhe kjo është edhe detyra jonë.”- deklaroi Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.
8 personat e identifikuar për incidentin në fjalë kanë djegur gjithsej katër flamuj kombëtar të Serbisë.








